Një nga rastet më emocionuese në karrierën e gjinekologut Sebajdin Gjini ishte ai i një gruaje 48-vjeçare, e cila pas 28 vitesh infertilitet arriti të bëhej nënë e binjakëve.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, Gjini tregoi se bëhej fjalë për një shtatzëni me rrezik të lartë, e cila kërkonte monitorim të vazhdueshëm dhe kujdes maksimal mjekësor.
Sipas tij, gruaja kishte kaluar pothuajse tri dekada duke u përballur me infertilitetin, derisa më në fund arriti të mbetej shtatzënë.

“Kam pasur para dy vitesh një shtatzëni të një gruaje 48-vjeçare, e cila përfundoi me sukses deri në termin e lindjes. Ishte në pyetje një sterilitet 28-vjeçar dhe ajo solli në jetë binjakë”, u shpreh Gjini.
Ai tha se shtatzënitë në moshë të shtyrë klasifikohen automatikisht si shtatzëni me rrezik të shtuar, prandaj kërkojnë trajtim të veçantë dhe kontrolle të shpeshta.
“Kishte frikë ajo, kisha frikë edhe unë me e çu deri në fund atë shtatzëni, sepse ishte shtatzëni me rrezik të shtuar”, deklaroi ai.
Sipas Gjinit, shtatzënia u përcoll me analiza rutinore, vizita të shpeshta dhe monitorim të vazhdueshëm të parametrave vitalë të nënës dhe binjakëve.
Në fund, historia përfundoi me sukses dhe sot binjakët gëzojnë shëndet të plotë, duke u kthyer në një nga rastet më të veçanta dhe më emocionale të karrierës së tij shumëvjeçare.
Për më shumë shikoni të plotë podcatin “Shëndeti në rend të parë”:





