Kryeministri Hristian Mickoski sot inspektoi investimet e realizuara dhe modernizimin e Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), ku u prezantuan kapacitetet e reja hapësinore, teknike dhe laboratorike të institucionit.
Siç informoi drejtori i DPHM-së, Igor Lazarovski, gjatë dy viteve të fundit janë realizuar investime të shumta të orientuara drejt modernizimit të sistemeve laboratorike, meteorologjike dhe hidrologjike, si dhe për përmirësimin e kushteve të punës për të punësuarit.
“Në Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike, gjatë dy viteve të fundit janë realizuar aktivitete dhe investime të orientuara drejt modernizimit të institucionit, përmirësimit të kushteve të punës, forcimit të kapaciteteve teknike dhe operative, si dhe avancimit të sistemeve për monitorimin meteorologjik, hidrologjik dhe laboratorik”, tha Lazarovski.
Ai theksoi se, në kuadër të IPA-projektit në Sektorin për cilësinë e ujërave, është blerë dhe vënë në funksion pajisje moderne laboratorike me vlerë totale prej 671.000 euro. Për nevojat e kësaj pajisjeje të re, shtoi ai, me mjete buxhetore janë rinovuar dhe përshtatur plotësisht rreth 200 metra katrorë hapësirë laboratorike, në përputhje me nevojat, standardet dhe kushtet për punë.
Gjithashtu, Lazarovski theksoi se në objektin e DPHM-së është kryer një rikonstruksion i plotë për rinovimin e 200 metrave katrorë hapësirë, për vendosjen e një qendre të re prognozash dhe sinoptike. Investimi ka një vlerë prej rreth 250.000 euro dhe është realizuar me mjete të siguruara nga qeveria zvicerane, me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).Me mjete nga buxheti, në objektin e DPHM-së në Zajçev Rid, ai theksoi se është kryer rikonstruksion i më shumë se 400 metrave katrorë. “Dyshemeja e amortizuar u zëvendësua dhe u rinovua tërësisht me pllaka të reja, ndërsa ndriçimi u zëvendësua me panele dhe llamba moderne LED. Hapësira është rinovuar tërësisht, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e punës për të punësuarit”, theksoi Lazarovski dhe shtoi se radari meteorologjik në Gjurishte është digjitalizuar tërësisht, ndërsa janë rinovuar edhe objektet e DPHM-së në Ohër, Prilep dhe Manastir.
Me këtë, tha ai, mundësohet monitorim më modern i proceseve atmosferike, zbulim më i mirë i dukurive të rrezikshme të motit dhe avancimi i sistemeve për paralajmërim të hershëm.






