Gjermania dhe Paraguai nuk kanë arritur të gjejnë fituesin pas 90 minutave të rregullta në përballjen e raundit të 16-shes në Kupën e Botës, me ndeshjen që ka shkuar në vazhdime pas barazimit 1:1.
Gjermanët e siguruan fazën eliminatore pasi fituan Grupin E, duke lënë pas Bregun e Fildishtë, Ekuadorin dhe Kuraçaon, ndërsa Paraguai u kualifikua si vendi i dytë në Grupin A, pas SHBA-së dhe para Australisë e Turqisë.
Pjesa e parë solli një surprizë të madhe. Në minutën e 42-të, Paraguai kaloi në epërsi në një nga sulmet e rralla drejt portës gjermane. Mathias Galarza krosoi nga krahu i djathtë, ndërsa Julio Enciso u gjend i pambuluar në zonë dhe me një goditje të saktë me kokë mposhti portierin gjerman për rezultatin 1:0.
Gjermania reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të barazojë në minutën e 54-të. Pas një tjetër aksioni të ndërtuar nga krahët, Florian Wirtz tentoi drejt portës, ndërsa Kai Havertz devijoi topin me kokë në shtyllën e parë, duke e dërguar në rrjetë për 1:1.
Pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat deri në fundin e kohës së rregullt, asnjëra nuk arriti të gjejë golin e fitores dhe kështu ndeshja ka shkuar në vazhdime.
Fituesi i këtij dueli do të përballet në çerekfinale me fituesin e përballjes mes Suedisë dhe Francës. /Telegrafi/






