Këngëtari i muzikës country, Orville Peck, ka bërë një rrëfim të ndjerë, duke zbuluar se tentoi t’i jepte fund jetës pak para se të anulonte turneun e tij “Bronco” në vitin 2023.
Artisti 38-vjeçar tha se në atë periudhë po përballej me varësi nga alkooli, probleme të shëndetit mendor dhe një krizë të thellë personale.
Në një intervistë për Rolling Stone, Peck tregoi se pas një spiraleje të vështirë emocionale u kthye në hotelin ku po qëndronte dhe tentoi vetëvrasjen, shkruan DailyMail.
Ai e përshkroi atë moment si një pikë kthese në jetën e tij, që më pas e shtyu të kërkonte ndihmë dhe të niste procesin e rehabilitimit.
Artisti, emri i vërtetë i të cilit është Daniel Pitout, tha se periudha përfshiu edhe fundin e një lidhjeje dhe rehabilitimin, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të errëta të jetës së tij. Fillimisht ai ishte skeptik ndaj trajtimit, por më vonë e kuptoi rëndësinë e tij.
Përvojat e asaj kohe janë kthyer në frymëzim për albumin e tij të ri, “Mule”, i cili do të publikohet më 18 shtator.
Peck e përshkruan projektin si një rrëfim kronologjik të vitit kur humbi rrugën, ndërsa singli i parë, “Too Little, Too Late”, është tashmë i disponueshëm në platformat muzikore.
Nëse ju ose dikush që njihni po përjeton mendime për vetëlëndim ose vetëvrasje, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë sa më shpejt nga një person i besuar ose një shërbim i specializuar i mbështetjes për shëndetin mendor. /Telegrafi/






