Operacioni “Vivaldi” i Ukrainës pengon planin rus për rrethimin e Donbasit

Bota

Kundërofensiva ukrainase në drejtim të Lyman-it ka penguar planin e Rusisë për të rrethuar dhe pushtuar pjesën e rajonit të Donetskut që vazhdon të kontrollohet nga Ukraina, sipas një analize të Institutit për Studimin e Luftës (ISW), me seli në Uashington. Operacioni ukrainas, i koduar “Vivaldi”, ka shkatërruar krahun verior të një manovre rrethuese ruse, […]

Madhësia e shkronjave

Kundërofensiva ukrainase në drejtim të Lyman-it ka penguar planin e Rusisë për të rrethuar dhe pushtuar pjesën e rajonit të Donetskut që vazhdon të kontrollohet nga Ukraina, sipas një analize të Institutit për Studimin e Luftës (ISW), me seli në Uashington.

Operacioni ukrainas, i koduar “Vivaldi”, ka shkatërruar krahun verior të një manovre rrethuese ruse, duke çliruar deri në 176 kilometra katrorë territor dhe duke i detyruar njësitë ruse të kalojnë në mbrojtje, transmeton Telegrafi.

Sipas ISW-së, fushata ruse synonte të rrethonte të ashtuquajturin “brez i fortifikuar”, një rrjet mbrojtës dhe logjistik që mbron pjesën e Donbasit nën kontrollin ukrainas. Plani parashikonte avancimin e forcave ruse nga Lyman-i në veri dhe nga Dobropillia në jugperëndim, me synimin që të dy krahët të bashkoheshin pranë Barvinkoves, në rajonin e Harkivit.

Realizimi i këtij rrethimi do ta afronte Moskën me objektivin e saj afatgjatë për pushtimin e të gjithë rajonit të Donetskut dhe do t’i ofronte Kremlinit një rezultat të rëndësishëm për ta paraqitur para opinionit publik rus, në raport me kostot e luftës.

Megjithatë, kundërofensiva ukrainase në boshtin e Lyman-it e prishi këtë plan. Forcat ukrainase përparuan përgjatë vijës Ridkodub–Nove–Novomykhailivka në veri dhe Yarova–Drobysheve–Stavky në jug, duke shembur pozicionet e avancuara ruse që kërcënonin Slovianskun nga verilindja.

Komandanti i Korpusit të Tretë të Ushtrisë së Ukrainës, Andrii Biletskyi, deklaroi se tri fazat e para të operacionit, të zhvilluara nga mesi deri në fund të shtatorit, çliruan 176 kilometra katrorë territor.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, dha një shifër më të ulët, prej 125 deri në 140 kilometrash katrorë, për gjendjen deri më 3 tetor. Ai gjithashtu tha se humbjet ruse ishin rritur ndjeshëm gjatë dy deri në tre muajve paraprakë.

ISW vlerëson se suksesi i operacionit mund të jetë edhe më i madh sesa tregojnë shifrat zyrtare të Kievit.

Rusia humb pozicionet për sulmin ndaj Slovianskut

Sipas institutit, dështimi i krahut verior të manovrës rrethuese e detyroi Rusinë të braktiste planet për të përparuar drejt Slovianskut nga verilindja. Kjo i privoi forcat ruse nga pozicionet që synonin t’u mundësonin kërcënimin e afrimeve veriore drejt brezit të fortifikuar ukrainas.

Ruajtja e kontrollit ukrainas mbi zonën e Lyman-it ka ndihmuar gjithashtu në mbajtjen e rrugëve kryesore të furnizimit. Ndërkohë, disa njësi ruse nga pjesë të tjera të frontit mund të jenë zhvendosur për të përforcuar sektorin verior.

Në këto rrethana, avancimi rus nga zona Pokrovsk–Dobropillia në jugperëndim, krahu i mbetur i planit fillestar të rrethimit, përballet tashmë i vetëm me objektiva shumë më ambicioze.

ISW e cilëson shembjen e krahut verior si një dështim operacional për Rusinë, pasi Moska nuk ka humbur vetëm territor përreth Lyman-it, por edhe një pjesë kyçe të planit për të mposhtur mbrojtjen ukrainase në Donbas.

Forcat ruse vazhdojnë të mbajnë disa pozicione të fituara në zonën e Kostyantynivkës dhe në lindje të Slovianskut, por kanë hasur vështirësi për të ruajtur ritmin e përparimit në të dyja zonat.

Sipas analizës, mbështetja te depërtimet e këmbësorisë, dronët dhe bombardimet mund të shkaktojë konsumim gradual të forcave kundërshtare, por nuk mundëson manovrat e shpejta të mekanizuara që nevojiten për të thyer mbrojtjen ukrainase në shkallën e kërkuar nga Moska.

ISW thekson se situata në front mbetet e paqëndrueshme dhe se forcat ruse mund të përshtatin taktikat e tyre me kalimin e kohës. Megjithatë, për momentin, Ukraina duket se ka arritur ta ndalë përparimin rus në këtë sektor. Mobilizimi i mëtejshëm në Rusi dhe përshtatjet teknologjike mund ta ndryshojnë situatën, por nuk garantojnë domosdoshmërisht një depërtim të suksesshëm.

ISW kundërshton pretendimet ruse për pushtimin e territorit

Instituti ka vënë në pikëpyetje edhe pretendimet, të përhapura gjerësisht nga mediat ruse proqeveritare, se forcat ruse kishin pushtuar 1,301 kilometra katrorë territor ukrainas vetëm gjatë shtatorit. Kjo shifër ishte rreth dy herë e gjysmë më e lartë se ajo e raportuar në muajt paraprakë.

Duke u mbështetur në fotografi dhe video të lokalizuara gjeografikisht, imazhe satelitore dhe të dhëna të konfirmuara vizualisht, ISW llogariti se njësitë ruse të sulmit kishin humbur kontrollin mbi të paktën 80 kilometra katrorë territor gjatë shtatorit.

Sipas përllogaritjeve të institutit, tërheqja neto ruse gjatë muajit arriti në 175.18 kilometra katrorë, duke përfshirë edhe zonat ku trupat ruse kishin depërtuar përkohësisht, por nuk kishin arritur të vendosnin kontroll të qëndrueshëm.

Javën e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi në takimin e klubit Valdai se Rusia kontrollon tashmë 89 për qind të rajonit të Donetskut. Në të kundërt, ISW vlerëson se territori i rajonit të pushtuar nga Rusia nuk e kalon 81 për qind.

Instituti i përshkroi pretendimet e Putinit për përparime ruse gjatë shtatorit si aq larg realitetit, saqë, sipas tij, “ngjajnë me halucinacione”.

ISW tha se nuk mund të përcaktonte nëse Putini është i vetëdijshëm se shifrat që citon janë të pavërteta, apo nëse ka filluar t’i besojë të dhënat e fabrikuara që merr për vijën e frontit. Sipas institutit, kjo mund të lidhet me një kulturë të rrënjosur të mungesës së sinqeritetit brenda komandës ushtarake ruse. /Telegrafi/