OpenAI po përgatitet të hyjë në tregun e pajisjeve elektronike për konsumatorë me një altoparlant inteligjent pa ekran, i cili do të integrojë teknologjinë e ChatGPT.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pajisja është ende në fazë zhvillimi dhe është konceptuar si një shoqërues i zgjuar për përdorim në shtëpi.

Ajo pritet të jetë në gjendje të kontrollojë pajisjet inteligjente të shtëpisë, të luajë muzikë, t’u përgjigjet pyetjeve, të menaxhojë mesazhe dhe të ofrojë përgjigje të avancuara përmes modeleve të inteligjencës artificiale të OpenAI.
Bloomberg raportoi gjithashtu se pajisja do të pajiset me kamerë dhe sensorë, të cilët do t’i mundësojnë të kuptojë më mirë ambientin dhe kontekstin e përdoruesit, duke ofruar një përvojë më të avancuar se altoparlantët tradicionalë inteligjentë.
Projekti po zhvillohet me mbështetjen e studios së dizajnit LoveFrom, të themeluar nga ish-drejtuesi i dizajnit të Apple, Jony Ive.
Në këtë iniciativë janë përfshirë edhe disa ish-inxhinierë dhe dizajnerë të Apple, të cilët kanë kontribuar më parë në zhvillimin e produkteve si iPhone dhe Mac.
Lajmi vjen vetëm pak ditë pasi Apple ngriti një padi ndaj OpenAI dhe dy ish-punonjësve të kompanisë, duke i akuzuar për përvetësim të sekreteve tregtare që lidhen me zhvillimin e pajisjeve harduerike.
OpenAI nuk ka komentuar ende publikisht mbi këto pretendime.





