Barcelona vazhdon të insistojë për transferimin e Julian Alvarez, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga Atletico Madridi dhe tensioneve që janë krijuar mes dy klubeve gjatë javëve të fundit.
Presidenti i klubit katalunas, Joan Laporta, ka konfirmuar publikisht se Barcelona tashmë ka bërë një ofertë zyrtare për sulmuesin argjentinas, i cili shihet si pasardhësi ideal i Robert Lewandowskit.
Interesimi i Barcelonës për Alvarez kishte shkaktuar reagim të ashpër nga Atletico Madridi që në muajin maj, me klubin madrilen që publikoi disa postime ironike në rrjetet sociale, duke tallur ofertat e mundshme për lojtarët e Barcelonës.
Situata u bë edhe më e nxehtë pasi vetë Alvarez pranoi publikisht se dëshiron të largohet nga Atletico dhe ta vazhdojë karrierën te një klub më i madh.

Laporta, megjithatë, këmbëngul se Barcelona nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe se gjithçka ka nisur nga dëshira e vetë lojtarit për t’u transferuar.
“Fillimisht dua të them se vazhdojmë të kemi respekt të madh për Atletico Madridin. Postimet në rrjetet sociale erdhën para se Julian të deklaronte se dëshiron të luajë për një klub të madh. Ai nuk e përmendi Barcelonën. Disa e interpretuan si Barcelonën, disa të tjerë jo. Ne nuk e detyruam këtë situatë, ishte vetë lojtari”.
“Ne kemi bërë një ofertë zyrtare klub me klub. E kuptojmë se ata nuk duan ta shesin sepse nuk kanë alternativa. Nëse gjejnë alternativa dhe oferta jonë mbetet ende e vlefshme, ne jemi të interesuar ta realizojmë transferimin”.
Laporta komentoi edhe ankesat që Atletico Madridi ka bërë ndaj Barcelonës në FIFA dhe në Federatën Spanjolle të Futbollit.
“Nuk e kuptoj logjikën e kësaj lëvizjeje. Përfaqësuesit e Atleticos janë shumë me përvojë dhe nuk e di se cila është strategjia e tyre. Ata e kanë ofertën tonë. Nëse duan ta pranojnë, ne do të ishim shumë të lumtur”.
“Atletico po tregohet plotësisht jofleksibël dhe shpresoj që ta ndryshojnë mendimin dhe ta pranojnë ofertën. Nëse nuk duan, atëherë le ta thonë dhe ne do të shohim se çfarë do të bëjmë. Por dërgimi i çështjes në UEFA apo FIFA nuk ka shumë kuptim”.
Presidenti i Barcelonës zbuloi gjithashtu se drejtori sportiv Deco ka qenë ai që ka paraqitur ofertën zyrtare dhe se dëshira e lojtarit për t’u transferuar në “Camp Nou” ekziston prej kohësh.
“Kam biseduar me Atletico Madridin dhe ua kam bërë të qartë se çfarë duam. Deco ka bërë ofertën. Ne e dimë se lojtari dëshiron të vijë te Barcelona dhe e dëshiron këtë prej një kohe të gjatë. E kemi bërë këtë propozim me respekt maksimal për klubin madrilen”.
“Do ta mbajmë ofertën aktive për aq kohë sa e konsiderojmë të nevojshme. Nuk do të jemi në mëshirën e tyre. Nëse duan ta realizojnë marrëveshjen, do të jemi të kënaqur, por oferta nuk do të qëndrojë e hapur pafundësisht”, deklaroi Laporta./Telegrafi/





