Granit Xhaka ka rrëfyer për herë të parë në detaje për gjendjen e tij të rënduar shëndetësore, me të cilën, sipas tij, po përballet prej rreth shtatë vitesh dhe për të cilën ende nuk ka marrë një diagnozë përfundimtare.
Në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, Xhaka tregoi se gjithçka kishte nisur gradualisht, fillimisht me episode të shkurtra të shikimit të turbullt, marramendjes dhe vështirësive të tjera, të cilat në fillim zgjasnin vetëm disa minuta dhe më pas largoheshin. Situata, sipas tij, u përkeqësua me kalimin e kohës.
Ai kujtoi edhe periudhën e pjesëmarrjes në “Big Brother VIP”, kur banorët kishin vërejtur disa herë se diçka nuk ishte në rregull me sytë e tij. Megjithatë, Xhaka tha se nuk kishte mundur ta shpjegonte plotësisht gjendjen e tij, pasi çdo shqetësim shëndetësor që shfaqej brenda shtëpisë mund të interpretohej si pjesë e lojës. Pas daljes nga formati, gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm, deri në atë pikë sa kishte pasur vështirësi edhe në artikulimin e fjalëve dhe në përqendrim.
Pikërisht atëherë nisën edhe kontrollet e shumta mjekësore. Fillimisht, Xhaka dhe familjarët e tij dyshuan se problemi mund të lidhej me sytë. Ai iu nënshtrua disa ekzaminimeve te oftalmologët në Gjermani, por mjekët konstatuan se sytë ishin të shëndetshëm. Më pas iu rekomanduan rezonanca magnetike dhe ekzaminime të tjera për të përjashtuar mundësinë e ndonjë tumori apo problemi tjetër neurologjik.
“Shkuam te dy-tre neurologë, besa edhe te neurokirurgë. Kemi bërë kontrolle për qarkullimin e gjakut në sy, kemi kontrolluar veshët, kemi bërë analiza gjaku dhe disa herë është përsëritur rezonanca magnetike. Por nuk del asgjë”, rrëfeu ai.
“Kam pasur momente shumë të vështira. Kam qenë ndoshta dy vjet shumë në depresion. Jam mbyllur në dhomë, kam qarë para fëmijëve, kam përjetuar shumë stres. Ka pasur momente, besomëni, edhe më të këqija, por kur kam menduar për familjen…”, u shpreh Xhaka.
Pavarësisht mungesës së një përgjigjeje të qartë nga mjekësia deri tani, ai thotë se besimi dhe familja i kanë dhënë forcë për të vazhduar. Xhaka tregoi se ka kërkuar edhe ndihmë shpirtërore, duke theksuar se në një situatë kur shkenca ende nuk ka një përgjigje, njeriu kërkon çdo burim që mund t’i japë shpresë. Ai gjithashtu tha se ka marrë qindra mesazhe nga njerëz që kanë probleme të ngjashme shëndetësore, duke u bërë thirrje të gjithëve që të kenë durim dhe të mos dorëzohen.
“Jam besimtar shumë. Forca duhet të vijë nga diku. Edhe kur shkenca nuk e ka një përgjigje, ndoshta ka gjëra më të mëdha që të japin shtysë dhe forcë për të bërë përpara dhe për të mos u dorëzuar”, tha Xhaka. /Telegrafi/






