Carlo Ancelotti ka dhënë një vlerësim të drejtpërdrejtë për skuadrën aktuale të Brazilit, duke lënë të kuptohet se ata nuk kanë më ikonat individuale të viteve të kaluara.
Tekniku italian pretendon se pesë herë kampionët e botës tani duhet të mbështeten te puna kolektive, në vend se të presin që një superyll i vetëm ta udhëheqë kombin drejt lavdisë.
Ancelotti, si përzgjedhës i Kombëtares së Brazilit, e ka minimizuar idenë se përbërja e tij aktuale ka një “yll” të padiskutueshëm, në stilin e legjendave më të mëdha të vendit.
Duke folur para një miqësoreje kundër Panamasë në “Maracana”, ish-trajneri i Real Madridit theksoi se rruga drejt suksesit në Kupën e Botës duhet të ndërtohet mbi ndarjen e barrës, jo mbi shkëlqimin individual.
“Lojtari më me përvojë duhet të ketë më shumë përgjegjësi, lojtari më i ri duhet të ketë më pak presion. Të gjithë kemi shumë përgjegjësi dhe presion. Dhe çfarë duhet të bëjmë? Ta ndajmë. Nuk mund të jetë individuale; duhet ta ndajmë presionin që të ulet pak”, u shpreh Ancelotti.
“Ndonjëherë flasim shumë se Brazili nuk ka një yll. Mund të jetë e vërtetë, nuk kemi Pele, Romario dhe Ronaldo, por mund të kemi një përgjegjësi të përbashkët”.
Ancelotti shtoi se puna e tij është fokusuar shumë te faza mbrojtëse, por pa ia zbehur kreativitetin lojtarëve ofensiv.
“Kemi punuar shumë në mbrojtje. Do të punojmë shumë në këtë drejtim. Nuk dua t’ua heq kreativitetin lojtarëve ofensiv. Ata kanë shumë cilësi, nuk dua të krijoj konfuzion”.
“Nga ana defanzive, kjo është një pjesë e punës së përditshme deri te ndeshja e fundit e Kupës së Botës. Puna jonë është e përqendruar aty. Mbrojtësit, krahët, mesfushorët, të gjithë kanë rol shumë të rëndësishëm”, përfundoi ai./Telegrafi/






