Barcelona kërkon partnerin e Cubarsit, tre qendërmbrojtës në listën e Decos dhe Flickut

Sport

Barcelona po hyn në fazën vendimtare të afatit kalimtar veror me një objektiv të qartë: përforcimin e qendrës së mbrojtjes me një qendërmbrojtës të majtë, i cili do të formonte një dyshe të re me Pau Cubarsin. Drejtori sportiv, Deco, dhe trajneri Hansi Flick duan të krijojnë kushtet ideale për zhvillimin e talentit spanjoll. Ideja […]

Madhësia e shkronjave

Barcelona po hyn në fazën vendimtare të afatit kalimtar veror me një objektiv të qartë: përforcimin e qendrës së mbrojtjes me një qendërmbrojtës të majtë, i cili do të formonte një dyshe të re me Pau Cubarsin.

Drejtori sportiv, Deco, dhe trajneri Hansi Flick duan të krijojnë kushtet ideale për zhvillimin e talentit spanjoll. Ideja është që Cubarsi të vazhdojë të luajë në të djathtë të qendrës së mbrojtjes, aty ku aftësia e tij për të nisur aksionet dhe për të dalë me topin në këmbë mund të shfrytëzohet maksimalisht.

Megjithatë, sipas gazetës katalunase Sport, drejtuesit e klubit nga Camp Nou po synojnë përforcimin me një tjetër qendërmbrojtës dhe kanë etiketuar tre emra që mund të bëhen partner të Cubarsit.

Emri që po dëgjohet më fuqishëm është Aymeric Laporte. Qendërmbrojtësi spanjoll ka eksperiencën e nevojshme dhe tashmë ka dëshmuar me kombëtaren se mund të funksionojë shumë mirë përkrah Cubarsit. Vetë mbrojtësi i Barcelonës ka theksuar se të dy ndihen shumë komodë kur luajnë së bashku.

Megjithatë, transferimi i Laportes nuk është i thjeshtë. Mbrojtësi i Athletic Bilbaos është 32 vjeç, nuk ka klauzolë largimi dhe Barcelona do të duhej të negociojë me klubin bask, me të cilin marrëdhëniet janë përkeqësuar pas çështjes së Nico Williams.

Alternativa tjetër është Castello Lukeba, një profil më i ri dhe me potencial për shumë vite. 23-vjeçari i RB Leipzig përshtatet me futbollin e Flickut, falë shpejtësisë, aftësisë për të mbrojtur lart dhe kontributit në ndërtimin e aksioneve.

Megjithatë, klauzola e tij është 80 milionë euro, ndërsa loja në ajër konsiderohet një prej pikave ku duhet të përmirësohet.

Në listë është edhe Natan, qendërmbrojtësi brazilian i Real Betisit. 25-vjeçari është një tjetër mbrojtës i majtë që ndihet mirë duke mbrojtur përpara dhe ka aftësi të mira fizike për të korrigjuar në hapësira të mëdha.

Betisi mund të jetë i gatshëm ta shesë për një shumë më të ulët se klauzola prej 80 milionë eurosh.

Kështu, Barcelona ka tre opsione me profile të ndryshme: Laporte për eksperiencën, Lukeba për të tashmen dhe të ardhmen, ndërsa Natan si një alternativë interesante për repartin mbrojtës.

Deco dhe Flick duhet të zgjedhin lojtarin që mund t’i japë Cubarsit partneritetin ideal dhe njëkohësisht ta bëjë mbrojtjen e Barcelonës më të qëndrueshme. /Telegrafi/