Nobeli i Kimisë 2026 u jepet Henri Kagan dhe Kenso Soai për zgjidhjen e misterit të molekulave pasqyrë

Bota

Shkencëtarët Henri Kagan nga Franca dhe Kenso Soai nga Japonia janë shpallur fitues të Çmimit Nobel në Kimi 2026, për zbulimet që ndihmuan në zgjidhjen e një prej mistereve më të vjetra të kimisë: si mund të krijohet vetëm njëra nga dy format pasqyrë të një molekule. Sipas Reuters, zbulimi ka rëndësi të madhe për […]

Madhësia e shkronjave

Shkencëtarët Henri Kagan nga Franca dhe Kenso Soai nga Japonia janë shpallur fitues të Çmimit Nobel në Kimi 2026, për zbulimet që ndihmuan në zgjidhjen e një prej mistereve më të vjetra të kimisë: si mund të krijohet vetëm njëra nga dy format pasqyrë të një molekule.

Sipas Reuters, zbulimi ka rëndësi të madhe për prodhimin farmaceutik, pasi shumë molekula të përdorura në ilaçe ekzistojnë në dy forma që janë imazhe pasqyre të njëra-tjetrës.

“Soai është shprehur se kjo ishte dita më emocionuese e jetës së tij dhe se ishte shumë i lumtur ta ndante çmimin me profesor Henri Kagan. Shkencëtari japonez tha se lajmin e kishte marrë ndërsa ishte duke bërë pazar.

Çmimi i Kimisë është i treti që shpallet gjatë Javës së Nobelit, pas çmimeve për Mjekësi dhe Fizikë, të bëra publike të hënën dhe të martën.

“Çmimi i këtij viti ka të bëjë me kiminë themelore”, tha Heiner Linke, kryetar i Komitetit Nobel për Kimi, transmeton Telegrafi.

Shumë prej molekulave thelbësore për jetën ekzistojnë në dy forma që janë imazhe pasqyre të njëra-tjetrës, njësoj si dora e majtë dhe dora e djathtë. Megjithatë, organizmat e gjallë përdorin pothuajse ekskluzivisht vetëm njërën prej tyre.

Ky fenomen njihet si homokiralitet dhe ka intriguar kimistët për më shumë se një shekull.

Zbulimet e Kagan dhe Soai treguan se reaksionet kimike mund të drejtohen në mënyrë që të favorizohet vetëm njëra nga format pasqyrë të një molekule. Puna e tyre është bërë veçanërisht e rëndësishme për kimistët që projektojnë reaksione për prodhimin e ilaçeve.

“Shumë prej molekulave të barnave ekzistojnë në dy variante që janë imazhe pasqyrë jo-identike të njëra-tjetrës: njëra mund të ketë efektin terapeutik, ndërsa tjetra mund të shkaktojë efekte anësore të panevojshme dhe ndonjëherë të dëmshme”, tha Fondacioni Nobel.

Sipas Associated Press, Kagan dhe Soai zhvilluan metoda që u mundësojnë kimistëve të kontrollojnë reaksionet dhe të prodhojnë formën e dëshiruar të molekulës. Kjo ka ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e barnave dhe në kuptimin e mënyrës se si krijohet dhe përforcohet kiraliteti molekular.

Kagan, 95-vjeçar, është i lidhur me Université Paris-Sud në Francë, ndërsa Soai është profesor në Tokyo University of Science në Japoni.

Hapi vendimtar i Kagan erdhi në vitin 1986, kur ai zbuloi një mënyrë të re për të manipuluar reaksionet kimike, duke bërë të mundur krijimin e një sasie më të madhe të njërës formë pasqyrë të molekulës.

Soai e çoi më tej këtë punë. Në vitin 1995, kërkimet e tij përshkruan një reaksion me potencial për të prodhuar një formë të vetme molekulare. Në vitin 2003, ai arriti të demonstronte një reaksion në të cilin krijohej vetëm njëra nga dy format e mundshme pasqyrë.

Ky rezultat ishte i jashtëzakonshëm, pasi përveç proceseve natyrore në organizmat e gjallë, askush më parë nuk kishte arritur të krijonte në laborator vetëm njërën nga këto dy forma.

Zbulimet e dy shkencëtarëve lidhen me efektet jolineare dhe autokatalizën në sintezën organike asimetrike, duke ndihmuar në shpjegimin e mënyrës se si mund të krijohet homokiraliteti.

Çmimet Nobel u krijuan në bazë të testamentit të shpikësit dhe biznesmenit suedez Alfred Nobel dhe janë dhënë që nga viti 1901, me disa ndërprerje, kryesisht gjatë periudhave të luftërave botërore.

Nobeli, i cili ishte kimist, krijoi një pasuri të madhe gjatë shekullit XIX nga shpikjet e tij, veçanërisht dinamiti. Çmimi për Shkencat Ekonomike u shtua më vonë dhe financohet nga banka qendrore suedeze.

Vitit të kaluar, Çmimi Nobel në Kimi iu dha Susumu Kitagawa, Richard Robson dhe Omar Yaghi për zhvillimin e të ashtuquajturave struktura metal-organike, të cilat mund të përdoren për të trajtuar sfida si ndryshimet klimatike dhe mungesa e ujit të pijshëm.

Kagan dhe Soai do të marrin medaljet e Nobelit nga Mbreti Carl XVI Gustaf i Suedisë në një ceremoni që do të mbahet në Stokholm më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit.

Dy laureatët do të ndajnë mes tyre edhe shumën prej 12 milionë korona suedeze, rreth 1.2 milionë dollarë.

Çmimi Nobel për Paqen është i vetmi nga çmimet Nobel që nuk ndahet në Suedi. Ai jepet veçmas në Oslo të Norvegjisë. /Telegrafi/