Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran, dhe kapiteni Berat Gjimshiti kanë dalë në konferencë për media në prag të ndeshjes ndaj San Marinos, e cila zhvillohet të martën në “San Marino Stadium”, nga ora 20:45.
Maran kërkoi përqendrim maksimal nga skuadra, duke paralajmëruar se Shqipëria duhet ta marrë me shumë seriozitet këtë përballje dhe të mos lejojë që diferenca në cilësi mes dy skuadrave të ndikojë në qasjen e lojtarëve.
“Duhet të përballemi me qasjen e duhur në ndeshje të tilla. Këto janë ndeshje që të ndihmojnë për të ndërtuar mentalitetin e një skuadre. Duhet ta marrim shumë seriozisht këtë ndeshje, me vëmendje dhe durim të veçantë”.
“Kemi shumë respekt për San Marinon, por kjo na jep edhe motivimin për të marrë masat e duhura për situatat që do të krijohen”, deklaroi Maran.

Përzgjedhësi italian theksoi se kuqezinjtë duhet të ruajnë identitetin e tyre, por njëkohësisht të jenë të gatshëm për t’u përshtatur me mënyrën e lojës së kundërshtarit.
“Duhet të kemi identitet, por në varësi të situatave që do të krijohen mund të përdorim edhe vertikalizimet. Mund të funksionojnë të dyja gjërat. E rëndësishme është që të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme dhe të zbatojmë atë që kemi përgatitur në stërvitje”, shtoi ai.
Maran foli edhe për formacionin, duke bërë të ditur se tashmë ka një ide të qartë për 11-shen titullare, por vendimi përfundimtar do të merret pas vlerësimeve të fundit fizike.
“Praktikisht e kam një ide se kush do të jetë formacioni titullar. Jam i bindur që të gjithë lojtarët do të jenë të gatshëm për të bërë ndeshjen më të mirë të mundshme. Orët e fundit do të pres për të bërë edhe matjet e fundit nga aspekti fizik”, u shpreh përzgjedhësi i Shqipërisë.
Ai e vuri theksin edhe te menaxhimi i energjive, pasi Shqipëria po përballet me një seri prej katër ndeshjesh.
“Mund të ketë ndryshime, por jo të fizionomisë së skuadrës. Është e rëndësishme që ne të rritemi në vlerë. Jam shumë i bindur që kushdo të luajë, do të jetë i motivuar për të bërë më të mirën. Të 28 lojtarët e grumbulluar kanë angazhimin maksimal me Kombëtaren”, deklaroi Maran.
Në anën tjetër, kapiteni Berat Gjimshiti kërkoi nga bashkëlojtarët të mos e konsiderojnë San Marinon si një kundërshtar të lehtë, duke insistuar në përqendrim maksimal gjatë gjithë ndeshjes.
“Përqendrimi duhet të jetë 100 për qind në çdo ndeshje, por edhe më shumë në këto ndeshje që të gjithë presin që Kombëtarja jonë të ketë kontrollin e lojës”.
“Shumica besojnë se do të jetë një ndeshje e thjeshtë, por nuk do të jetë aspak kështu. Varet nga ne, nëse do ta bëjmë të thjeshtë apo jo. Përqendrimi është 100 për qind”, theksoi Gjimshiti.
Mbrojtësi shqiptar foli edhe për objektivin e Kombëtares, duke bërë të qartë se synimi mbetet vendi i parë në grup. Për ta arritur këtë, ai kërkoi angazhim maksimal nga i gjithë grupi.
“Synimet janë të forta. Duam vendin e parë dhe ajo që duhet të përmirësohet është i gjithë grupi, të luajmë bashkë dhe të japim gjithçka në fushë për 90 minuta. Në këtë nivel, nëse gabon, shumë shpejt ndryshon loja dhe duhet të jesh i fokusuar”, u shpreh kapiteni kuqezi.
Gjimshiti veçoi edhe sulmuesin e San Marinos, Nanni, të cilin e njeh nga përballjet e tij në Itali, duke paralajmëruar se skuadra duhet të jetë e kujdesshme edhe ndaj rrezikut që mund të vijë nga kundërshtari.
“E njoh sulmuesin Nanni, kam luajtur kundër tij. Është fizikisht i madh, pothuajse 1.90 metra si unë, dhe e mban shumë mirë topin. Kanë cilësi dhe duhet të jesh 100 për qind i fokusuar, sepse mund të ndodhë gjithçka në futboll”, përfundoi Gjimshiti.
Shqipëria synon ta vazhdojë me fitore rrugëtimin në grup, ndërsa përballja me San Marinon vjen në një seri të ngjeshur ndeshjesh, ku kuqezinjtë kërkojnë të ruajnë ritmin dhe të luftojnë për kreun e grupit. /Telegrafi/





