Një tornado e rrallë ka përfshirë qytetin e vogël Ulladulla, në New South Wales të Australisë, duke shkaktuar dëme në prona dhe duke rrëzuar pemë.
Ngjarja ndodhi më 3 tetor, ndërsa disa banorë arritën të filmonin momentin kur tornadoja kaloi nëpër zonat e banuara të qytetit.

Byroja Australiane e Meteorologjisë bëri të ditur se fenomeni u shkaktua nga stuhi të fuqishme dhe e cilësoi si një ngjarje veçanërisht të pazakontë për një zonë kaq të populluar.
“Të shohësh një tornado në një vend kaq të populluar është shumë e pazakontë”, deklaroi Byroja e Meteorologjisë.
Stuhia la pas dëme materiale, ndërsa pemë të shumta u rrëzuan nga erërat e forta.
Deri më tani, nuk janë raportuar të dhëna për viktima nga incidenti.
Pamjet e filmuara nga banorët tregojnë forcën e fenomenit atmosferik teksa tornadoja kalon pranë zonave të banuara, duke ngritur mbeturina dhe duke shkaktuar dëme në disa prona. /Telegrafi/





