Gjiganti italian, Juventusi, ka konfirmuar sot se ka ndërprerë kontratën me mesfushorin brazilian Arthur Melo.
Braziliani u rikthye në Torino pas një huazimi njëvjeçar te Gremio, por nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare për “Bianconerët” që nga sezoni 2021/22.
“Ky operacion krijon një ndikim negativ ekonomik prej afërsisht gjashtë milionë eurosh, si rezultat i rregullimit të vlerës neto kontabël të të drejtave për shërbimet sportive të lojtarit”, njoftoi Juventusi.
Arthur iu bashkua Juventusit në verën e vitit 2020 nga Barcelona, në një marrëveshje që përfshinte edhe shkëmbimin me Miralem Pjanicin, së bashku me një shumë parash.
Gjatë periudhës së tij me Juventusin, braziliani regjistroi një gol dhe një asistim në 63 paraqitje në të gjitha garat.
Megjithatë, karriera e tij në Torino nuk shkoi sipas pritshmërive. Gjatë katër viteve të fundit të kontratës me klubin, Arthur u huazua te Liverpooli, Fiorentina, Girona dhe Gremio.
Asnjëra prej këtyre skuadrave nuk vendosi ta transferonte përfundimisht, duke bërë që mesfushori të rikthehej vazhdimisht te Juventusi.
Tashmë, gjashtë vjet pas transferimit të tij nga Barcelona, Juventusi dhe Arthur kanë ndarë zyrtarisht rrugët./Telegrafi/






