Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për vonesat në sigurimin e teksteve shkollore, duke thënë se prindërit, më pak se dy javë para fillimit të vitit të ri shkollor, ende nuk i kanë marrë mjetet për blerjen e librave.
Bajrami ka thënë se prindërit aktualisht nuk e dinë as cilat libra duhet t’i blejnë, pasi Ministria u ka bërë thirrje që të mos i blejnë tekstet e rekomanduara nga shkollat.
“Kanë mbetur më pak se dy javë deri në fillimin e vitit të ri shkollor, ndërsa prindërit ende nuk i kanë marrë mjetet për tekstet shkollore. E sot, përveç që s’i kanë paratë, nuk e dinë as cilat libra duhet blerë”, ka shkruar ajo.
Sipas deputetes së LDK-së, që nga ndryshimi i sistemit të furnizimit me tekste shkollore, çdo fillimvit shkollor është shoqëruar me vonesa, pritje dhe vështirësi për prindërit.
Ajo ka thënë se prindërit kanë kërkuar rikthimin e sistemit të mëparshëm, ku tekstet siguroheshin drejtpërdrejt për nxënësit.
Bajrami ka kritikuar edhe ministrin në detyrë të Arsimit, duke thënë se, pavarësisht premtimeve për adresimin e shqetësimeve të prindërve, situata nuk ka ndryshuar.
“Prindërit jo vetëm që ende presin paratë, por Ministria u thotë të mos i blejnë librat e rekomanduar nga shkollat. Çfarë dështimi”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka vlerësuar se vonesat nuk përbëjnë vetëm problem për prindërit, por ndikojnë drejtpërdrejt edhe në procesin mësimor të fëmijëve.
“Kjo është humbje në mësimnxënie për fëmijët, është regres, siç e kemi parë është rezultat më i dobët nga viti në vit”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka thënë se prindërit nuk kërkojnë reforma të mëdha, por vetëm që fëmijët të nisin vitin shkollor me librat e nevojshëm.
“Nëse Ministria nuk arrin me e siguru as këtë, problemi nuk është te librat, problemi është te qeverisja”, ka përfunduar deputetja e LDK-së, duke e cilësuar situatën si “dështim pas dështimi” përgjatë gjashtë viteve./Telegrafi/






