Kylian Mbappe realizoi dy gola dhe kaloi legjendat Pele dhe Lionel Messi në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e Kupës së Botës, duke arritur në kuotën e 14 golave.
Mbappe pati vetëm 14 prekje të topit gjatë pjesës së parë pa gola, numri më i ulët nga të gjithë lojtarët në fushë. Megjithatë, në pjesën e dytë ai tregoi klasën e tij duke kaluar Francën në epërsi në minutën e 66-të.
Aksioni i golit nisi nga krahu i djathtë, ku Jules Kounde dhe Michael Olise shkëmbyen dy herë pasime.
Ndërkohë, Bradley Barcola shtoi edhe një gol tjetër, teksa Franca u rikthye pas një pjese të parë zhgënjyese për të mposhtur Senegalin me rezultatin 3-1 të martën.
Me këto realizime, Mbappe arriti në 14 gola në Kupat e Botës, duke kaluar Lionel Messin dhe Just Fontaine në renditjen historike.
Ai tani është i barabartë me legjendën gjermane Gerd Muller dhe ndodhet vetëm pas Ronaldo Nazário me 15 gola dhe Miroslav Klose me 16 gola.
Përveç kësaj, sulmuesi francez vendosi edhe një rekord të ri me kombëtaren e Francës, duke shkuar në 58 gola ndërkombëtarë dhe duke kaluar me një gol Olivier Giroud, që mbante rekordin e mëparshëm.
Për këtë paraqitje të tij, Mbappe është vlerësuar me notën 8.1 nga Sofascore, duke u shpallur kështu lojtari i ndeshjes.
Franca, e cila synon të arrijë finalen e tretë radhazi të Kupës së Botës, do të përballet me Irakun të hënën në Filadelfia./Telegrafi/






