Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para përballjes së rëndësishme ndaj Austrisë, në kuadër të raundit të katërt të Ligës së Kombeve.
Dardanët kanë përfunduar përgatitjet e fundit taktike për këtë sfidë, ku synojnë t’u rikthehen rezultateve pozitive pas humbjes ndaj Austrisë dhe barazimit me Izraelin.
Atmosfera në kampin e Kosovës duket pozitive, ndërsa skuadra është mobilizuar maksimalisht për një ndeshje që pritet të jetë mjaft intensive.
Në konferencën për shtyp, përzgjedhësi Franco Foda kishte theksuar se ekipi është përgatitur në maksimum për këtë përballje, duke paralajmëruar një duel me intensitet të lartë.
Një lajm i mirë për shtabin teknik është edhe prania në stërvitje e kapitenit Vedat Muriqi dhe portierit Aro Muric, të cilët janë rikthyer pas lëndimeve që i mbajtën jashtë ndeshjes ndaj Izraelit.
Rikthimi i tyre mund të jetë një përforcim i rëndësishëm për ‘Dardanët’ në prag të kësaj sfide, ku Kosova synon të shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendas.
Përndryshe, ndeshja Kosovë – Austri zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 18:00./Telegrafi/






