Kush mund të jetë burim më i mirë informacioni për besueshmërinë e veturave sesa një mekanik me përvojë?
Mekaniku spanjoll Luis Modesto Hernández ka përzgjedhur pesë vetura të përdorura që i rekomandon për qëndrueshmërinë e tyre.

Ai thotë se nuk do të zgjidhte modele nga Audi, BMW apo Mercedes, por është fokusuar në pesë modele të prodhuesve japonezë.
5. Lexus CT 200h Modeli hibrid kompakt është prodhuar nga viti 2010 deri më 2022. Ka motor benzine 1.8 litra, me teknologji të përbashkët me Toyota-n. Sipas mekanikut, pika kryesore e tij është qëndrueshmëria dhe mund të përshkojë shumë kilometra pa vizita të shpeshta në servis, nëse është mirëmbajtur.
4. Suzuki Vitara 1.6 benzinë Vitara me motor atmosferik 1.6 litra VVT është prodhuar nga viti 2015 deri më 2018. Mekanika relativisht e thjeshtë e bën më të lehtë mirëmbajtjen, ndërsa prakticiteti është një nga përparësitë e saj.
3. Honda Civic 1.8 VTEC Civic me motor 1.8 litra dhe teknologji VTEC ka një reputacion të mirë për besueshmëri. Mekaniku vlerëson hapësirën e brendshme, komoditetin dhe aftësinë për të përballuar kilometrazh të lartë, me kusht që vetura të jetë mirëmbajtur siç duhet.
2. Mazda 3 2.0 benzinë Mazda 3 me motor 2.0 litra përshkruhet nga mekaniku si një nga veturat më të nënvlerësuara në treg. Përveç interierit cilësor dhe drejtimit të këndshëm, ajo dallohet për mekanikën relativisht të thjeshtë dhe të besueshme.
1. Toyota Corolla Hybrid Në vendin e parë është Toyota Corolla Hybrid me 122 kuaj fuqi. Mekaniku veçon konsumin e ulët të karburantit, reputacionin e sistemit hibrid dhe besueshmërinë e transmisionit automatik. Ai thotë se rrallë has modele me defekte serioze, ndaj e ka vendosur Corollën në krye të listës.




