Nga Skenderaj në Klinë e Gjilan, reflektorët po i japin tjetër pamje futbollit kosovar – klubet flasin për ndikimin

Sport

Futbolli kosovar po merr një tjetër pamje, sidomos në stadiumet ku tashmë janë vendosur reflektorët, projekt ky i Federatës së Futbollit të Kosovës që po sjell ndryshime jo vetëm në aspektin e kushteve për zhvillimin e ndeshjeve, por edhe në praninë e tifozëve në tribuna. Deri tani, reflektorët janë vendosur në stadiumin “Bajram Aliu” në […]

Madhësia e shkronjave

Futbolli kosovar po merr një tjetër pamje, sidomos në stadiumet ku tashmë janë vendosur reflektorët, projekt ky i Federatës së Futbollit të Kosovës që po sjell ndryshime jo vetëm në aspektin e kushteve për zhvillimin e ndeshjeve, por edhe në praninë e tifozëve në tribuna.

Deri tani, reflektorët janë vendosur në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ku ndeshjet i zhvillon Drenica, në stadiumin e Gjilanit, ku luajnë Drita dhe Gjilani, si dhe në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, shtëpi e Dukagjinit.

Ndeshjet e zhvilluara në orët e mbrëmjes, kryesisht në ora 19:00, kanë sjellë një atmosferë ndryshe në këto stadiume, ndërsa klubet kanë vërejtur edhe rritje të numrit të shikuesve.

Kryetari i FC Drenicës, Halim Bajraktari: Një përkrahje e tillë i ka hije klubit nga Skenderaj

Kryetari i FC Drenicës, Halim Bajraktari, në një prononcim për Telegrafin, ka folur për instalimin e reflektorëve në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, projekt që sipas tij ka zgjuar interesim të madh te tifozët dhe ka ndikuar në rritjen e numrit të tyre në stadium.

“Jemi të kënaqur me instalimin e reflektorëve, gjë që u pa edhe në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin tonë ‘Bajram Aliu’. Numri i tifozëve ishte jashtëzakonisht i madh, për çka jemi shumë të lumtur si klub. Një përkrahje e tillë i ka hije klubit nga Skenderaj”, deklaroi Bajraktari për Telegrafin.

Ai theksoi se zhvillimi i ndeshjeve në orët e mbrëmjes ka ndikuar që tifozët të jenë më të pranishëm në stadium.

Pamje nga stadiumi “Bajram Aliu” në Skenderaj

“Instalimi i reflektorëve dhe ndeshjet në orët e mbrëmjes kanë bërë që tifozët të jenë në numër më të madh, gjë që është e jashtëzakonshme për masivizimin e futbollit. E gjithë kjo u kurorëzua edhe me një fitore të madhe në ndeshjen e parë, me rezultat 4-0 ndaj Llapit, për çka i uroj stafin teknik, lojtarët dhe të gjithë përreth klubit”, shtoi ai.

Në fund, kryetari i Drenicës ka falënderuar Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Komunën e Skenderajt për mbështetjen në realizimin e këtij projekti.

“Dua t’i falënderoj FFK-në dhe kryetarin Ademi, si dhe Komunën e Skenderajt dhe kryetarin Sami Lushtaku, për ndihmën që ky projekt të realizohet. Është një punë e mirë, të mirat e së cilës komuniteti i sportit do t’i vjelë në vitet në vijim”, përfundoi Bajraktari.

Kryetari i Drenicës, Halim Bajraktari me kapitenin Lushtaku dhe portierin Ymeri

Menaxheri i SC Gjilanit, Sylejmani: Ndikim pozitiv për klubin dhe tifozët

Efektet e këtij projekti janë vërejtur edhe në Gjilan, ku tashmë ndeshjet mund të zhvillohen në orët e mbrëmjes. Menaxheri i SC Gjilanit, Drilon Sylejmani, thotë se vendosja e reflektorëve ka ndikuar pozitivisht në disa aspekte të funksionimit të klubit.

“Vendosja e reflektorëve ka ndikuar pozitivisht në klub, sidomos në aspektin organizativ të ndeshjeve dhe ardhjes masive të tifozëve”, tha Sylejmani për Telegrafin.

Sipas tij, numri i tifozëve është rritur ndjeshëm, ndërsa zhvillimi i ndeshjeve në mbrëmje ka krijuar edhe kushte më të përshtatshme për futbollistët, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta.

Menaxheri i SC Gjilanit, Drilon Sylejmani

“Numri i tifozëve është rritur ndjeshëm dhe kushtet për lojë janë shumë më optimale, pasi që në fushën tonë sintetike është e vështirë të luhet në temperatura të larta”, deklaroi ai.

Sylejmani theksoi se reflektorët janë mirëpritur edhe nga futbollistët, të cilët tashmë kanë mundësi që jo vetëm ndeshjet, por edhe një pjesë të seancave stërvitore t’i zhvillojnë në orët e mbrëmjes.

“Përveç tifozëve, edhe futbollistët e kanë mirëpritur vendosjen e reflektorëve dhe zhvillimin e ndeshjeve natën, si dhe gjithashtu mbajtjen e seancave stërvitore, sidomos kur temperaturat ishin të larta në këtë kohë”, shtoi menaxheri i SC Gjilanit.

Pamje nga një ndeshje e zhvilluar në mbëmje në Gjilan

Kapiteni i Dukagjinit, Basriu: Stadiumi në mbrëmje merr një tjetër pamje

Ndryshimi është ndjerë edhe në Klinë, ku Dukagjini tashmë i zhvillon ndeshjet në stadiumin “18 Qershori” nën dritat e reflektorëve.

Kapiteni i Dukagjinit, Elton Basriu, thotë se për futbollistët është një përvojë ndryshe të luajnë në mbrëmje, sidomos kur kjo atmosferë shoqërohet me tribuna të mbushura.

“Është një ndjenjë shumë e mirë të luash nën dritat e reflektorëve, sidomos pasi është edhe stadiumi ynë, ‘18 Qershori’. Për ne si futbollistë është një atmosferë pak më ndryshe, ndërsa si kapiten më vjen mirë që po e përjetojmë këtë së bashku me tifozët tanë. Besoj se stadiumi në mbrëmje merr një tjetër pamje dhe na jep edhe më shumë motivim për të dhënë maksimumin në fushë”, deklaroi Basriu për Telegrafin.

Ai e vlerëson si shumë të qëlluar edhe orarin e ndeshjeve, sidomos për shkak të temperaturave të larta që kanë mbizotëruar gjatë kësaj periudhe.

“Po ashtu, ishte kënaqësi që ndeshjet në ora 19:00 kanë ardhur në një moment mjaft të mirë, sidomos duke pasur parasysh temperaturat e larta që kanë qenë kohët e fundit. Besoj se edhe për ne si lojtarë është më e lehtë dhe më komode të luajmë në këto kushte”, shtoi kapiteni i Dukagjinit.

Por, sipas Basrit, ndryshimi më i madh është vërejtur në tribuna. Ai thotë se në secilën ndeshje të zhvilluar deri tani si vendas, stadiumi “18 Qershori” ka qenë i stërmbushur.

“Është rritur edhe numri i shikuesve, ku çdo ndeshje e zhvilluar deri më tash si vendas, stadiumi ishte i stërmbushur”, tha ai.

Për kapitenin e Dukagjinit, prania e madhe e tifozëve ndryshon edhe atmosferën brenda fushës dhe u jep futbollistëve një motivim shtesë.

“Po, padyshim që ndryshon atmosfera. Kur luan në mbrëmje dhe ke më shumë tifozë në tribuna, e ndjen energjinë e tyre gjatë gjithë ndeshjes. Kjo na motivon shumë si lojtarë dhe na jep një shtysë shtesë për të luftuar për çdo top dhe, ndeshje pas ndeshjeje, për të arritur rezultate pozitive”, theksoi Basri.

Ai shpreson që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në ndeshjet e ardhshme, duke falënderuar tifozët e Dukagjinit, “Hithat”, për praninë e tyre.

“Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme tribunat të jenë të stërmbushura si në ndeshjet paraprake dhe ta shijojmë të gjithë këtë atmosferë të jashtëzakonshme që po krijohet në stadiumin tonë. Po ashtu, i falënderoj edhe tifozët tanë ‘Hithat’, të cilët ndeshje pas ndeshjeje kanë qenë në numër më të madh se çdo herë”, përfundoi Basri.

Vendosja e reflektorëve në stadiume po shoqërohet kështu me një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si zhvillohen ndeshjet e Superligës së Kosovës. Përveç mundësisë për të luajtur në orët e mbrëmjes dhe krijimit të kushteve më të përshtatshme për futbollistët, klubet po raportojnë edhe për një interesim më të madh të tifozëve, duke i dhënë stadiumeve një atmosferë që shpesh ka munguar në futbollin kosovar. /Telegrafi/