Në Holandë kryhet për herë të parë eutanazia e një fëmije nën 12 vjeç

Bota

Në Holandë është kryer për herë të parë eutanazia e një fëmije të sëmurë rëndë nën moshën 12-vjeçare. Kjo është bërë e ditur përmes një letre të ministres holandeze të Shëndetësisë, Sophie Hermans, drejtuar parlamentit. Eutanazia është kryer në fund të vitit të kaluar, raporton thetelegraph. Prej dy vitesh në Holandë është e ligjshme eutanazia […]

Madhësia e shkronjave

Në Holandë është kryer për herë të parë eutanazia e një fëmije të sëmurë rëndë nën moshën 12-vjeçare.

Kjo është bërë e ditur përmes një letre të ministres holandeze të Shëndetësisë, Sophie Hermans, drejtuar parlamentit. Eutanazia është kryer në fund të vitit të kaluar, raporton thetelegraph.

Prej dy vitesh në Holandë është e ligjshme eutanazia për fëmijët e pashërueshëm nga mosha 1 deri në 12 vjeç. Para kësaj, eutanazia ishte e mundur vetëm për të sapolindurit dhe personat mbi 12 vjeç.

Sipas ligjit holandez, për kryerjen e eutanazisë duhet të konsultohen prindërit, vuajtja e fëmijës duhet të jetë e padurueshme dhe nuk duhet të ketë asnjë mundësi shërimi.

Ministrja Hermans në letrën e saj tha se një komitet rishikimi, i krijuar për të monitoruar nga afër ligjin e ri, ka shqyrtuar rastin e fëmijës së paidentifikuar dhe ka biseduar me mjekun e përfshirë në proces.

Komiteti i ka përcjellë gjetjet e tij prokurorisë, e cila do të vendosë nëse mjeku ka vepruar në përputhje me ligjin. Raporti i komitetit pritet të publikohet së shpejti.

Kur ligji hyri në fuqi dy vjet më parë në Holandë, pritej që çdo vit të kishte rreth 5 deri në 10 raste eutanazie të fëmijëve.

Holanda në vitin 2002 u bë vendi i parë në botë që legalizoi eutanazinë për personat me sëmundje të pashërueshme që shkaktojnë vuajtje të padurueshme fizike ose psikike. /Telegrafi/