Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në shënimin e pesëvjetorit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), ku ka theksuar rëndësinë e transparencës institucionale dhe mbrojtjes së të dhënave personale në një shtet demokratik.
Në fjalën e saj, Haxhiu tha se Agjencia për Informim dhe Privatësi, ndonëse një institucion i ri, ushtron një mandat që prek drejtpërdrejt themelet e demokracisë, duke garantuar të drejtën e qytetarëve për informim dhe mbrojtjen e privatësisë së tyre.
“E drejta për informim e hap institucionin ndaj qytetarit, ndërsa e drejta për privatësi e mbron qytetarin nga përdorimi i pakujdesshëm apo i panevojshëm i të dhënave të tij”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se një shtet demokratik duhet t’i trajtojë transparencën dhe privatësinë si dy garanci të domosdoshme, pasi njëra e bën pushtetin më të dukshëm dhe tjetra mbron qytetarin nga ndërhyrjet e panevojshme në jetën e tij private.
Duke folur për punën e Agjencisë, Haxhiu vlerësoi arritjet e saj gjatë pesë viteve të fundit. Sipas saj, vetëm gjatë vitit 2025, AIP ka pranuar mbi një mijë ankesa, ka kryer qindra inspektime dhe ka trajnuar qindra pjesëmarrës nga sektorë të ndryshëm.
“Këta numra tregojnë se qytetarët po i përdorin të drejtat e tyre dhe se institucionet po përballen gjithnjë e më shumë me kërkesën për transparencë dhe përgjegjësi”, u shpreh ajo.
Haxhiu tha se mbrojtja e privatësisë kërkon vigjilencë të vazhdueshme, sidomos në kohën kur shërbimet publike dhe proceset administrative po digjitalizohen gjithnjë e më shumë.
Ajo theksoi se çdo institucion që mbledh të dhëna personale duhet të ketë bazë ligjore të qartë dhe përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.
Sipas saj, zhvillimi i teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale e bën edhe më të rëndësishëm rolin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ndërsa Kosova duhet të vazhdojë harmonizimin me standardet evropiane në këtë fushë.
Në fund, Haxhiu uroi Agjencinë për pesëvjetorin e themelimit dhe bëri thirrje për më shumë transparencë institucionale, kujdes ndaj të dhënave personale dhe përgjegjësi në procesin e digjitalizimit të shtetit.
“Qytetari i informuar dhe qytetari i mbrojtur janë themel i një Republike demokratike”, përfundoi ajo. /Telegrafi/





