Jose Mourinho mori një dhuratë të pazakontë në prag të përballjes mes Real Madridit dhe Interit në Ligën e Kampionëve. Një gazetar italian i dhuroi trajnerit portugez një spërkatës kopshti, duke i rikujtuar një prej netëve më ikonike të karrierës së tij.
Mourinho do të drejtojë të martën ndeshjen e tij të parë të sezonit në Ligën e Kampionëve, kur Real Madridi do të përballet me ish-klubin e tij, Interin, në “Santiago Bernabéu”. Portugezi ka kujtime të veçanta nga dy vitet e kaluara në krye të skuadrës zikaltër, veçanërisht nga triumfi i famshëm ndaj Barcelonës në vitin 2010.
Në atë kohë, Interi eliminoi Barcelonën në gjysmëfinale, duke fituar 3-2 me rezultat të përgjithshëm dhe duke siguruar një vend në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga viti 1972. Pas ndeshjes së kthimit në “Camp Nou”, lojtarët e Interit festuan në fushë, ndërsa në stadium u aktivizuan spërkatësit e ujit në një përpjekje për t’i dhënë fund festimeve.
Pamjet e Mourinhos duke festuar mes ujit u shndërruan në një prej momenteve më të famshme të historisë moderne të Championsit.
Gazetari italian ia riktheu kujtimin Mourinhos
Duke dashur ta rikthente atë moment para përballjes së radhës mes Real Madridit dhe Interit, gazetari italian Tancredi Palmeri i përgatiti Mourinhos një dhuratë të veçantë.
Teksa trajneri portugez po largohej nga konferenca për shtyp, Palmeri i dorëzoi një spërkatës kopshti, duke i kujtuar natën e paharrueshme në Barcelonë.
“Misioni është shumë i vështirë, pothuajse i pamundur, t’i japësh një dhuratë Mourinhos. Është e vështirë, por do të provojmë”, kishte thënë gazetari para konferencës.
Mourinho e priti dhuratën me humor, e mori spërkatësin dhe shtrëngoi duart me gazetarin para se të largohej. Një dhuratë e thjeshtë, por që riktheu në kujtesë një nga periudhat më të suksesshme të karrierës së tij.
Si e ndali Mourinho Barcelonën në vitin 2010?
Fitorja e Interit ndaj Barcelonës nuk ishte e rastësishme. Mourinho kishte përgatitur me shumë kujdes taktikën për të neutralizuar skuadrën e Pep Guardiolës dhe, mbi të gjitha, për të ndalur Lionel Messin.
Interi fitoi ndeshjen e parë 3-1 në “San Siro”, pavarësisht se Barcelona kaloi e para në epërsi me golin e Pedro Rodriguez. Për italianët shënuan Wesley Sneijder, Maicon dhe Diego Milito.
Në ndeshjen e kthimit, Interi zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme defensive. Pavarësisht se luajti me 10 lojtarë për pjesën më të madhe të takimit, skuadra e Mourinhos pësoi vetëm një gol dhe siguroi kualifikimin në finale.
Vite më vonë, Mourinho zbuloi se një pjesë e madhe e planit të tij ishte ndërtuar rreth një objektivi të vetëm: të mos lejonte Messin të luante lirshëm.
“Në Itali përdornin fjalën ‘Gabbia’. Mendoj se përkthimi i vërtetë është si një burg për Messin. Në fund nuk luajtëm njeri me njeri, por Zanetti, Motta, Cambiasso – të gjithë ishin përgjegjës për çdo hapësirë ku mund të shkonte Messi”, kishte shpjeguar Mourinho.
Interi më pas mposhti Bayern Munichun në finale dhe fitoi Ligën e Kampionëve, duke kompletuar një sezon historik me tripletën. /Telegrafi/






