Llapi ka bërë një lëvizje në repartin e portierëve, duke rikthyer në skuadër Vokli Laroshin.
Portieri 25-vjeçar është rikthyer në familjen bardhekaltër pas një edicioni të kaluar te Gjilani, ndërsa tashmë ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Laroshi, me origjinë nga Elbasani, ka edhe një paraqitje me Kombëtaren U21 të Shqipërisë. Ai më parë kishte mbrojtur ngjyrat e Llapit për dy edicione e gjysmë, duke u shndërruar në një pjesë të rëndësishme të skuadrës.
Pas përvojës së fundit në Superligën e Kosovës, 25-vjeçari rikthehet te Llapi me synimin për të dhënë kontributin e tij në objektivat e klubit.
Rikthimi i tij i jep trajnerit një tjetër alternativë në portë, pasi ky pozicion ka qenë më i ndjeshmi te Llapi këtë fillim sezoni.
Laroshi ka firmosur kontratë me Llapin deri në verën e vitit 2028, duke u bërë kështu pjesë e projektit të klubit për sezonet e ardhshme.
Vokli Laroshi është sërish bardhekaltër. Llapi i ka uruar mirëseardhje portierit në rikthimin e tij në “Zahir Pajaziti”. /Telegrafi/





