“Mos e humbisni mundësinë për dialog”, vajza e Azem Hajdarit mesazh studenteve me foton e të atit

Nacionale

Ish-deputetja e PD-së, Rudina Hajdari u ka bërë thirrje studentëve dhe protestuesve që të pranojnë dialogun me kryeministrin Edi Rama, duke sjellë si shembull të atin e saj të ndjerë, Azem Hajdarin, dhe një nga momentet kyçe të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990: takimin e përfaqësuesve të studentëve me Ramiz Alinë. Në statusin e saj, […]

Madhësia e shkronjave

Ish-deputetja e PD-së, Rudina Hajdari u ka bërë thirrje studentëve dhe protestuesve që të pranojnë dialogun me kryeministrin Edi Rama, duke sjellë si shembull të atin e saj të ndjerë, Azem Hajdarin, dhe një nga momentet kyçe të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990: takimin e përfaqësuesve të studentëve me Ramiz Alinë.

Në statusin e saj, Rudina Hajdari ka publikuar pikërisht një fotografi nga takimi i dhjetorit 1990, kur Azem Hajdari dhe përfaqësues të tjerë të studentëve u ulën përballë Ramiz Alisë për të diskutuar kërkesat e tyre.

“Uluni në dialog, por me transparencë, jo pas dyerve të mbyllura. Mos i humbni këto mundësi! Unë do të ulesha e para në ato karrige dhe do të përballesha drejtpërdrejt me Ramën. Ai nuk ka si të mbrohet përballë argumenteve tuaja. I keni të gjitha argumentet për të arritur maksimumin e kërkesave tuaja”, shkruan Rudina Hajdari.

Mesazhi i saj lidhet drejtpërdrejt me atë që kishte ndodhur 36 vite më parë. Azem Hajdari ishte një nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, ndërsa në takimin me Ramiz Alinë përfaqësuesit e studentëve kërkonin ndër të tjera që të formulohej qartë pluralizmi politik.

Në takimin e asaj kohe, Azem Hajdari e konsideronte dialogun një mënyrë për të mbrojtur kërkesat e studentëve dhe jo tërheqje prej tyre.

“Prandaj neve jemi të kënaqur që pranuat dialogun, pavarësisht se u krijuan disa vështirësi për me ardhë tek dialogu… Shokët studenta më kanë thënë që t’ju kërkoj, sipas mundësive të juaja, që ky dialog, duke pasur parasysh, të inçizohet dhe ta transmetojmë dhe ta ndigjojnë studentët”, i thoshte Azem Hajdari Ramiz Alisë

Më tej, Azem Hajdari shpjegonte se programi i paraqitur ishte diskutuar dhe miratuar me studentët dhe se përfaqësuesit që ndodheshin përballë Alisë kishin marrë mandatin e tyre për ta mbrojtur.

Sipas tij, ata ishin të autorizuar “të hyjmë në dialog për këtë program” dhe të paraqisnin argumentet e tyre për çdo pikë. Në të njëjtën ndërhyrje, Azem Hajdari theksonte se, edhe pse ishin të gatshëm për dialog, studentët duhej të ishin këmbëngulës në proceset demokratike.

“Jemi për durim, po durimi duhet të jetë. Po në rast se hymë në procese demokratike, kjo është e mira e gjithë popullit tonë, dëshira e gjithë popullit tonë ne në këto procese duhet të jemi këmbëngulës. Them këto sepse neve në këtë program që kemi paraqit dhe kemi miratue pikë për pikë mendimin e gjithë studentëve, është parashtruar me gjithë studentët dhe neve si përfaqësues këtu jemi të autorizuar nga ata që ta mbrojmë këtë program me, dmth të hyjmë në dialog për këtë program, të paraqesim ato argumentat tonë për çdo pikë të programit”, shprehej Azem Hajdari në takim me Ramiz Alinë.

Pikërisht fjalët e të atit në takimin e përfqsuesve të stuentëve të dhjetorit ’90 më Ramiz Alinë që Rudina Hajdari përdor sot për t’u kërkuar studentëve të mos refuzojnë tryezën me kryeministrin, por të hyjnë në të duke mbrojtur kërkesat dhe argumentet e tyre.

“Nuk ka njeri më trim se Azem Hajdari, edhe ai u përball me diktaturën. Nëse nuk uleni ju, dikush tjetër do ta bëjë dialogun në kurrizin tuaj”, shkruan Hajdari në mesazhin e saj për protestuesit. /Tch/

Komentet