Të paktën katër persona kanë vdekur dhe një tjetër është lënduar në Francë, si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga stuhia Adam, e cila të martën goditi jugun e vendit, duke mbuluar rrugët me ujë dhe duke ndërprerë transportin.
Mes viktimave janë dy gra, të moshës 86 dhe 26 vjeçe, të cilat u gjetën të mbytura në një bodrum në departamentin Bouches-du-Rhône. Moti i keq goditi edhe Korsikën, ku një automjet fuoristradë u mor nga rrjedha e ujërave.
Njëri prej personave që ndodhej brenda arriti të shpëtonte përmes dritares, ndërsa një burrë tjetër u gjet i vdekur. Autoritetet nuk kanë publikuar ende detaje të tjera për viktimën e katërt, transmeton Telegrafi.
Në qytetet Mouriès dhe Saint-Martin-de-Crau, mes Montpellier dhe Marsejës, dhjetëra banorë u strehuan në ambiente emergjente pas përmbytjeve. Zyrtarët konfirmuan se në këtë zonë është lënduar edhe një person. Rrugët dhe linjat hekurudhore pësuan gjithashtu ndërprerje, njoftoi ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot.
“Uji ka arritur nivele të paprecedenta”, deklaroi të mërkurën prefekti i Bouches-du-Rhône, Jacques Witkowski. Ai shprehu solidaritet me personat e prekur dhe tha se autoritetet janë mobilizuar në nivel të jashtëzakonshëm për t’u përballur me situatën.
Ndërkohë, Franca pritet të përballet me mot edhe më të keq. Stuhia Austen, një sistem i ri atmosferik që po lëviz nga Atlantiku, pritet të mbërrijë në veriperëndim të vendit. Shërbimi meteorologjik francez, Météo-France, ka lëshuar alarm portokalli për erëra të forta në pesë departamente, nga mbrëmja e së enjtes deri të premten: Côtes-d’Armor, Finistère, Morbihan, Ille-et-Vilaine dhe Manche.
Stuhia Adam ka shkaktuar viktima edhe në Spanjën lindore, ku të paktën tre persona kanë humbur jetën. Disa qytete përgjatë bregdetit mesdhetar mbetën të izoluara nga ujërat, ndërsa helikopterët u angazhuan për të shpëtuar njerëzit e bllokuar në çatitë e ndërtesave.
Gjatë operacioneve të shpëtimit të hënën, pjesëtarët e Njësisë Ushtarake të Emergjencave gjetën trupin e një gruaje në qytetin Oliva, në rajonin e Valencias. Dy gra të tjera u konfirmuan të vdekura gjatë fundjavës: njëra u gjet në një plazh në Sagunto, në rajonin e Valencias, ndërsa tjetra u mor nga ujërat në Cabrera de Mar, pranë Barcelonës.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, premtoi të martën, gjatë një vizite në rajonin e Valencias, se qeveria qendrore do të vërë në dispozicion burime për rindërtimin e zonave të dëmtuara. Po atë ditë, qeveria rajonale e Valencias miratoi një paketë ndihme prej 23.5 milionë eurosh për personat e prekur nga stuhia Adam. /Telegrafi/
