Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka analizuar humbjen 3-1 ndaj Austrisë, duke theksuar se skuadra e tij pati mundësi për të kaluar në epërsi dhe për ta ngushtuar rezultatin, por gabimet në momente të caktuara të ndeshjes u shfrytëzuan nga kundërshtari.
Foda veçoi veçanërisht mënyrën se si Austria i shfrytëzoi humbjet e topit dhe kalimet e shpejta nga mbrojtja në sulm, ndërsa vlerësoi edhe faktin se Kosova nuk u dorëzua deri në fund.

“Ne e nisëm shumë mirë ndeshjen. Në fakt, duhej të kalonim në epërsi 1-0, sepse patëm një mundësi të madhe shënimi. Mendoj se momenti që ndryshoi ndeshjen ishte goli për 2-0, menjëherë para përfundimit të pjesës së parë. Schlager kaloi nga zona e tij e rreptësisë përmes mesfushës sonë dhe më pas dha një pasim të thellë për Wimmerin”.
“E dinim shumë mirë se Wimmeri shpesh bën vrapime pas shpinës së mbrojtjes. Aty nuk u mbrojtëm mirë, sidomos në ato momente para përfundimit të pjesës së parë. Pas golit për 2-0 patëm edhe një mundësi të madhe për ta ngushtuar rezultatin në 2:1, por nuk arritëm ta shfrytëzonim. Tre apo katër minuta më vonë pësuam edhe golin për 3-0”.
“Megjithatë, skuadra nuk u dorëzua asnjëherë dhe deri në fund tentoi ta përmbyste ndeshjen. Nëse shikojmë vetëm statistikat, ndeshja ishte e baraspeshuar”.
“Por ajo që Austria bëri jashtëzakonisht mirë sot ishte mënyra se si i shfrytëzoi gabimet tona. Ne patëm disa humbje të thjeshta të topit dhe ata i ndëshkuan menjëherë. Me dinamikën, shpejtësinë dhe vrapimet në thellësi, ata bënë tranzicion shumë të mirë nga mbrojtja në sulm”.
“Këtë e bënë shumë mirë sot. Në fazën defensive u mbrojtën gjithashtu mirë. Ne shpesh arritëm në një të tretën e fundit të fushës, por aty ende nuk arritëm t’i shfrytëzonim mirë harkimet…”, deklaroi Foda. /Telegrafi/





