Milan Antonijevic qëndroi në Bujanoc: Këshilli Kombëtar Shqiptar kërkon përgjigje për diskriminimin

Dje, në selinë e Këshilli Kombëtar Shqiptar në Bujanoc, u zhvillua një takim me Komisarin për Mbrojtjen e Barazisë, Milan Antonijevic.
Në këtë takim u kërkua që z. Antonijevic dhe institucioni që ai përfaqëson të deklarohen qartë dhe publikisht për çështjet që prej vitesh prekin komunitetin shqiptar në Lugina e Preshevës.
Ndër pyetjet e ngritura ishin:
A përbën diskriminim fakti që në shumë institucione republikane përfaqësimi i shqiptarëve është zero ose simbolik, ndonëse ata përbëjnë shumicë në Preshevë dhe Bujanoc?
A është diskriminim që në Spitalin e Vranjë, ku rreth 30% e pacientëve janë shqiptarë, nuk është i angazhuar asnjë i punësuar shqiptar?
A përbën diskriminim mungesa e pranimit të shqiptarëve në polici për më shumë se një dekadë në komuna ku ata përbëjnë 93% në Preshevë dhe mbi 62% në Bujanoc?
A është diskriminim disproporcioni në gjyqësi, ku nga 13 gjyqtarë në Gjykatën Themelore në Bujanoc vetëm 4 janë shqiptarë, ndërsa në prokurori nuk ka asnjë prokuror shqiptar?
A përbën diskriminim pasivizimi masiv i adresave, me pasoja të drejtpërdrejta në humbjen e të drejtave themelore për mijëra shqiptarë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë?
A është diskriminim mosnjohja e diplomave të lëshuara nga Republika e Kosovës për mbi 4 mijë të diplomuar shqiptarë, pavarësisht obligimeve të marra në marrëveshje ndërkombëtare dhe në planin shtatë pikësh?
A përbën diskriminim mungesa e teksteve mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit e shkollave të mesme në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë?
A është diskriminim moslejimi i përdorimit të lirë dhe zyrtar të simboleve kombëtare dhe ndëshkimi i personave që ngritin flamurin kombëtar?
A përbën diskriminim moszbatimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe nga institucionet publike, kur vetëm 20 nga 70 institucione respektojnë ligjin?
A është diskriminim gjuha fyese dhe denigruese e përdorur nga zyrtarë shtetërorë ndaj komunitetit shqiptar?
A përbën diskriminim bllokimi arbitrar i donacioneve që Këshilli Kombëtar Shqiptar merr nga Kosova dhe Shqipëria për projekte në ruajtjen e identitetit kombëtar?
A është diskriminim mosrespektimi i mendimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në emërimin e drejtorëve të shkollave dhe në çështje që lidhen drejtpërdrejt me arsimin dhe të drejtat e minoritetit shqiptar?
Këto çështje kërkojnë përgjigje të qarta dhe veprime konkrete. Pritet që angazhimi i shprehur në takim të përkthehet në qëndrime publike dhe hapa institucionalë për adresimin real të këtyre shqetësimeve.