Franca këtë vit është përballur me dy episode të rënda të valëve ekstreme të të nxehtit, të cilat kanë shkaktuar humbje jetësh, kanë rënduar sistemin shëndetësor dhe kanë nxitur debate të gjera politike.
Vala e parë e të nxehtit është regjistruar në fund të majit, ndërsa e dyta, edhe më intensive, ka arritur kulmin në fund të qershorit, me temperatura që në disa rajone kanë kaluar 40 gradë Celsius.
Sipas shërbimeve meteorologjike, këto janë ndër valët më të hershme dhe më të forta të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë në vend.
Temperaturat ekstreme kanë sjellë rritje të ndjeshme të vdekjeve, sidomos te të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, duke përkeqësuar gjendje si sëmundjet e zemrës, mushkërive dhe veshkave, si dhe duke shkaktuar dehidrim dhe lodhje të rëndë organizmi.
Ekspertët paralajmërojnë se vetëm gjatë vitit 2025 në Francë janë regjistruar mijëra vdekje shtesë të lidhura me të nxehtin, çka tregon se ndryshimet klimatike tashmë po japin pasoja serioze për shëndetin publik në të gjithë Evropën.
Një problem i rëndësishëm mbetet edhe fakti se Franca ka një përqindje relativisht të ulët të shtëpive me klimatizim krahasuar me vendet më jugore të Evropës, gjë që e bën më të vështirë përballimin e valëve të gjata të të nxehtit.
Një nga arsyet kryesore për këtë është struktura e banesave: një pjesë e madhe e tyre janë ndërtesa të vjetra, të ndërtuara për klimë më të butë, me mure të trasha prej guri, grila, hijezues dhe sisteme që mbështeten në ajrosje gjatë natës dhe mbyllje gjatë ditës.
Këto metoda kanë funksionuar mirë për periudha të shkurtra të nxehtësisë, por rezultojnë më pak efektive kur temperaturat e larta zgjasin me ditë apo javë dhe kur edhe netët nuk zbresin nën 25 gradë Celsius.
Për më tepër, në shumë zona historike instalimi i klimave është i kushtueshëm, teknikisht i vështirë dhe i kufizuar nga rregulla dhe leje të rrepta, një realitet që nuk është unik vetëm për Francën, raporton index.hr.
Sipas Latica Ihlenit, një nga çështjet kryesore në debatet për klimatizimin është edhe fakti se klimat nuk janë zgjidhje ideale për qytetet e dendura.
“Klima i ftohin banesat, por njëkohësisht e ngrohin ambientin e jashtëm. Kështu krijohen ishuj të nxehtësisë, sidomos në qendrat urbane të ndërtuara. Ky nuk është një rezultat i kënaqshëm”, thekson ajo.
Për këtë arsye, pas valës së të nxehtit të vitit 2003, Franca ka orientuar politikat e saj kryesisht drejt rinovimit energjetik, izolimit të ndërtesave, hijezimit, ventilimit, ftohjes pasive dhe sistemeve të paralajmërimit, në vend të një programi masiv për instalimin e klimave.
Latica shton se këto projekte mbështeten fuqishëm nga autoritetet. “Për rinovimin e dritareve dhe fasadave ofrohen subvencione. Kërkon përpjekje, por në përgjithësi projekte të tilla miratohen,” thotë ajo. /Telegrafi/






