Mediumi arab publikon marrëveshjen 14-pikëshe ndërmjet SHBA-së dhe Iranit

Bota

AL ARABIYA English ka siguruar një kopje të një marrëveshjeje me 14 pika, të cilën Uashingtoni dhe Teherani pritet ta nënshkruajnë të premten. Sipas dokumentit, Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me aleatët e tyre në luftën aktuale, do të shpallnin përfundimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të luftës në të gjitha […]

Madhësia e shkronjave

AL ARABIYA English ka siguruar një kopje të një marrëveshjeje me 14 pika, të cilën Uashingtoni dhe Teherani pritet ta nënshkruajnë të premten.

Sipas dokumentit, Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me aleatët e tyre në luftën aktuale, do të shpallnin përfundimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.

Marrëveshja parashikon respektimin reciprok të sovranitetit, vazhdimin e negociatave për një marrëveshje përfundimtare brenda një afati maksimal prej 60 ditësh, heqjen e bllokadës detare amerikane, rikthimin e trafikut detar, tërheqjen e forcave amerikane nga zonat përreth pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare, përjashtime për eksportin e naftës iraniane, lirimin e pasurive të ngrira të Iranit dhe një plan për rindërtimin ekonomik të Iranit me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë, transmeton Telegrafi.

Në dokument, Irani do të përsëriste se nuk do të prodhojë kurrë armë bërthamore, ndërsa çështja e materialit të pasuruar dhe çështjet e tjera bërthamore do të zgjidheshin në marrëveshjen përfundimtare.

Deri atëherë, të dyja palët do të ruanin gjendjen ekzistuese: Irani programin e tij bërthamor, ndërsa SHBA-ja sanksionet dhe dislokimin ushtarak në rajon. Marrëveshja përfundimtare do të duhej të miratohej përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në këtë formë, marrëveshja duket si një fitore e rëndësishme për Iranin. Teherani do të përfitonte nga heqja e bllokadës detare, rikthimi i eksporteve të naftës, qasja në pasuritë e ngrira, perspektiva e heqjes së sanksioneve dhe një plan ekonomik prej të paktën 300 miliardë dollarësh, ndërsa në këtë fazë prej tij kërkohet vetëm përsëritja e zotimit se nuk do të prodhojë armë bërthamore dhe ruajtja e gjendjes aktuale të programit bërthamor deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.