Nelson Hysa do të ngjitet në ring më 28 nëntor në Duseldorf të Gjermanisë, në përballjen më të rëndësishme të karrierës së tij ndaj kampionit të botës në WBC, Agit Kabayel.
Boksieri shqiptar do të ketë përballë një nga emrat më të mëdhenj të kategorisë së peshave të rënda, ndërsa në lojë do të jetë titulli i WBC-së. Për Hysën, kjo është një mundësi historike për të shkruar emrin e tij dhe të boksit shqiptar në një prej skenave më prestigjioze të këtij sporti.
Përballja do të zhvillohet në “Merkur Spiel-Arena”, ndërsa marrëveshja mes palëve u arrit pas disa muajsh negociatash dhe pasigurisë nëse dueli do të realizohej. Megjithatë, tashmë gjithçka është zyrtare, me Kabayel dhe promotorin e njohur Frank Warren që kanë konfirmuar përballjen.

Hysa shkon në këtë duel me një rekord perfekt prej 25 fitoresh në 25 ndeshje, 23 prej të cilave me nokaut. Forma e tij e fundit ka qenë mbresëlënëse, teksa në duelin e fundit ai mposhti Thomas Narmos me nokaut në raundin e dytë.
Në anën tjetër, Kabayel është një prej figurave kryesore të peshave të rënda në boksin botëror dhe aktualisht mban titullin e WBC-së.
Data e duelit ka edhe një simbolikë të veçantë për Hysën. Përballja do të zhvillohet në ditët e festave të nëntorit, periudhë kur shqiptarët kujtojnë shpalljen e Pavarësisë dhe Çlirimin e Shqipërisë. Edhe pse data nuk është përzgjedhur për këtë arsye, ajo mund t’i japë një motiv shtesë boksierit shqiptar.
Hysa synon të bëhet boksieri i parë që garon nën flamurin shqiptar dhe fiton një prej titujve të katër organizatave kryesore të boksit botëror – WBC, WBA, WBO apo IBF.
Për këtë arsye, përballja me Kabayel nuk është vetëm një tjetër ndeshje në karrierën e tij. Është një mundësi për të hyrë në histori.
Dueli pritet të zhvillohet në mbrëmje, ndërsa hyrja e Hysës dhe Kabayelit në ring pritet rreth orës 23:00 sipas kohës tonë, në varësi të kohëzgjatjes së përballjeve paraprake./Telegrafi/





