Mbrojtja e Spanjës po thyen çdo rekord: As Italia legjendare e vitit 2006 nuk e bëri këtë

Sport

Spanja ka siguruar një vend në finalen e Kupës së Botës 2026 duke shkruar histori me një nga paraqitjet më mbresëlënëse mbrojtëse që është parë ndonjëherë në këtë turne. Skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente ka shënuar 13 gola, ka pësuar vetëm një dhe ka mbajtur portën të paprekur në gjashtë nga shtatë […]

Madhësia e shkronjave

Spanja ka siguruar një vend në finalen e Kupës së Botës 2026 duke shkruar histori me një nga paraqitjet më mbresëlënëse mbrojtëse që është parë ndonjëherë në këtë turne.

Skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente ka shënuar 13 gola, ka pësuar vetëm një dhe ka mbajtur portën të paprekur në gjashtë nga shtatë ndeshjet e zhvilluara deri tani.

Në gjysmëfinale, Spanja mposhti Francën me rezultat 2-0, duke dominuar plotësisht edhe në aspektin defensiv. Francezët krijuan vetëm 0.3 xG (gola të pritshëm), shifra më e ulët e tyre në një ndeshje të Kupës së Botës që nga viti 1966, kur Opta nisi regjistrimin e këtyre statistikave.

Vetëm katër kombëtare e kishin arritur më parë

Spanja nuk pësoi gol në fazën e grupeve ndaj Kepit të Gjelbër, Arabisë Saudite dhe Uruguait, ndërsa ruajti portën të paprekur edhe në përballjet me Austrinë dhe Portugalinë në fazën eliminatore.

Goli i vetëm i pësuar deri tani erdhi në çerekfinale, kur sulmuesi belg Charles De Ketelaere mposhti Unai Simon.

Para Spanjës, vetëm Italia (2006), Gjermania (2002), Holanda (1974) dhe Anglia (1966) kishin arritur në finalen e Kupës së Botës pasi kishin pësuar vetëm një gol gjatë rrugëtimit të tyre.

Spanja ka bërë edhe më shumë se Italia e vitit 2006

Rasti më i ngjashëm ishte Italia kampione e botës në vitin 2006.

Skuadra e Marcello Lippit arriti në finale pasi kishte pësuar vetëm një gol në gjashtë ndeshje, por ekziston një dallim i rëndësishëm.

Falë formatit të ri me 48 kombëtare dhe fazës së 1/16 së finales, Spanja ka zhvilluar tashmë shtatë ndeshje para finales, pra një më shumë se Italia.

Madje, Italia nuk pësoi asnjë gol nga kundërshtarët. Goli i vetëm ishte një autogol i Cristian Zaccardos ndaj SHBA-së në fazën e grupeve.

Në finale, Zinedine Zidane shënoi nga pika e bardhë, ndërsa Italia fitoi titullin ndaj Francës pas penalltive, duke e mbyllur turneun me vetëm dy gola të pësuar.

Ajo skuadër mbetet një nga repartet më të forta mbrojtëse në histori, me emra si Gianluigi Buffon, Fabio Cannavaro, Marco Materazzi, Gianluca Zambrotta dhe Fabio Grosso. Cannavaro, pas atij Botërori, fitoi edhe Topin e Artë.

Gjermania 2002, Holanda 1974 dhe Anglia 1966

Edhe Gjermania e vitit 2002 mbërriti në finale me vetëm një gol të pësuar para ndeshjes vendimtare.

Skuadra e Rudi Vollerit pësoi vetëm nga Robbie Keane në barazimin 1-1 me Irlandën dhe më pas regjistroi tre fitore radhazi 1-0 në fazën eliminatore.

Vetëm në finale ndaj Brazilit, Ronaldo shënoi dy herë dhe i dha fund ecurisë së Oliver Kahn, i cili fitoi “Topin e Artë” të turneut si portier.

Një histori e ngjashme ishte edhe ajo e Holandës në vitin 1974. Ekipi legjendar i Johan Cruyff kishte pësuar vetëm një autogol deri në finale, por u mposht 2-1 nga Gjermania Perëndimore.

Edhe Anglia në vitin 1966 arriti në finale me vetëm një gol të pësuar në pesë ndeshje.

Gordon Banks e mbajti portën të paprekur për 442 minuta, derisa Eusebio shënoi nga penalltia në gjysmëfinale. Anglia më pas fitoi finalen ndaj Gjermanisë Perëndimore 4-2 pas vazhdimeve.

Spanja tashmë ka vendosur rekorde historike

Pavarësisht rezultatit të finales, skuadra e Luis de la Fuente ka hyrë tashmë në historinë e Kupës së Botës.

649 minuta pa pësuar gol, seria më e gjatë në historinë e Kupës së Botës. Ajo nisi në Botërorin e vitit 2022 dhe përfundoi vetëm në çerekfinalen e Botërorit 2026, kur shënoi Charles De Ketelaere.

Gjashtë ndeshje pa pësuar gol në një edicion të vetëm të Kupës së Botës, rekord absolut i turneut.

Rekordi i mëparshëm pas shtatë ndeshjeve ishte dy gola të pësuar, i mbajtur nga Italia 1990, Franca 1998, Italia 2006 dhe vetë Spanja 2010. Me vetëm një gol të pësuar, Spanja e ka tejkaluar tashmë këtë arritje.

Një rekord historik është vetëm 90 minuta larg

Rekordi i kampionit të botës me mbrojtjen më të mirë është dy gola të pësuar gjatë gjithë turneut, statistikë që ndahet nga Franca (1998), Italia (2006) dhe Spanja (2010).

Nëse Spanja fiton finalen pa pësuar gol, do të bëhet kombëtarja e parë në historinë e Kupës së Botës që shpallet kampione duke pësuar vetëm një gol gjatë gjithë turneut, një arritje që do ta vendoste skuadrën e Luis de la Fuente në mesin e ekipeve më të mëdha që ka njohur ndonjëherë futbolli. /Telegrafi/