Franca ka prerë biletën për në çerekfinalen e Kampionatit Botëror, pasi mposhti Paraguain me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e fazës së 1/8 së finales.
Pjesa e parë ishte e luftuar dhe me pak raste të pastra shënimi. Paraguai u mbrojt me disiplinë, ndërsa Franca pati vështirësi të depërtonte në mbrojtjen kundërshtare.
Në pjesën e dytë, Franca rriti ritmin dhe krijoi më shumë raste. Në minutën e 54-të, Manu Kone provoi me një goditje të fortë nga distanca, por portieri Orlando Gill reagoi në mënyrë spektakolare duke e devijuar topin në këndore.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 65-të, kur Doue u rrëzua në zonë pas një dueli me mbrojtësit paraguajanë. Fillimisht gjyqtari Ilgiz Tantashev lejoi vazhdimin e lojës, por pas rishikimit me VAR në minutën e 67-të, akordoi penallti për Francën.
Nga pika e bardhë, në minutën e 70-të, Kylian Mbappe u tregua i saktë, duke dërguar topin në këndin e poshtëm të djathtë për rezultatin 1-0.
Me këtë sukses, Franca siguron kualifikimin në çerekfinalen e Kampionatit Botëror, ku e pret një përballje shumë interesante ndaj Marokut, në një duel që pritet të jetë ndër më të fortët e këtij edicioni./Telegrafi/






