Nëse Amerika dështon, kush do të na shpëtojë?
Opinion nga: Don Feder / The Washington Times Përkthimi: Telegrafi.com
Si student konservator në vitet ’60 të shekullit XX, mendoja se lufta kundër komunizmit ishte mijëra milje larg në Azinë Juglindore, dhe 90 milje larg brigjeve [144.84 kilometra], në Kubë.
Lufta e vërtetë ishte gjithmonë këtu, në bazat e së Majtës së Re, veçanërisht në universitete.

Tani ajo ka infektuar çdo aspekt të jetës amerikane dhe është në prag të marrjes nën kontroll të asaj që dikur ishte partia e presidentëve Truman dhe Kennedy.
Saktësia e gjuhës është thelbësore. Ne nuk po e luftojmë socializmin. Kjo është një luftë kundër komunizmit. Duhet të zgjohemi sa më shpejt përballë këtij realiteti, përpara se të bëhemi rusë, kinezë ose kubanë të shekullit XXI.
Mënyra për ta luftuar komunizmin amerikan është duke e ekspozuar dhe duke e shpjeguar atë.
Flisni për platformën e Socialistëve Demokratë të Amerikës [DSA], e cila sapo fitoi një numër të madh zgjedhjesh paraprake për Kongres në qarqe zgjedhore në Nju-Jork dhe Kolorado, ku fitimi i një zgjedhjeje paraprake demokrate është praktikisht i barabartë me zgjedhjen. Komunistët e DSA-së gjithashtu janë ose së shpejti do të jenë kryetarë bashkie në Nju-Jork, në Distriktin e Kolumbisë, Siatëll dhe Los Anxhelos.
Në janar, një kontingjent komunist do të shkojë drejt Kongresit, përfshirë Darializa Avila Chevalierin, një studente specializuese 32-vjeçare e cila fitoi nominimin demokrat në një qark zgjedhor të Nju-Jorkut me mbështetje të fortë për demokratët.
Znj. Chevalier dëshiron të shfuqizojë policinë dhe burgjet, “fjalë për fjalë të shembë kufirin”, të konfiskojë pronat me qira dhe të shtetëzojë korporatat. Në postime të mëparshme në rrjetet sociale, znj. Chevalier i quajti veprat e Vladimir Leninit dhe Josif Stalinit “diçka që patjetër duhen lexuar”.
Platforma e DSA-së kërkon zëvendësimin e Senatit, presidentit dhe Gjykatës së Lartë me “një ekzekutiv dhe një gjyqësor të zgjedhur nga Kongresi dhe të varur prej tij”.
Emigrantët e paligjshëm do të votojnë duke e forcuar më tej kontrollin komunist.
Në vend të ndarjes së pushteteve, pushteti do të përqendrohet në një organ të vetëm.
Ky është një recetë për sundimin e një partie të vetme. Kishte zgjedhje në Bashkimin Sovjetik dhe pikërisht atë lloj farse votimi do ta kishim edhe ne.
Duhet të zbulojmë se çfarë kanë bërë shokët e DSA-së në Kubë, Rusi, Korenë e Veriut dhe Kinën e Kuqe.
Në kohën e revolucionit të Castros në vitin 1959, Kuba ishte vendi më i zhvilluar në Amerikën Latine. Sot ka pak karburant dhe përjeton ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike. Plehrat grumbullohen në rrugë. Punëtorët kubanë marrin gjysmë libre mish pule dhe 10 deri në 12 vezë çdo dy javë. Punëtorë të botës, hani me zemër.
Havana thotë se, ndonëse do ta mirëpriste ndihmën, nuk do të bëjë kurrë kompromis me komunizmin.
Komunizmi, për vetë natyrën e tij, është ekspansionist. Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar pesë luftëra, përfshirë ato në Gjeorgji, Çeçeni dhe Ukrainë. Në luftën Rusi-Ukrainë, të dyja palët kanë pësuar më shumë se dy milionë viktima gjatë katër vjetëve e gjysmë. Ja çfarë janë luftërat pa fund.
Përveç përpjekjeve të z. Putin për ta rikrijuar perandorinë sovjetike, Kina po planifikon të pushtojë Tajvanin. Koreja e Veriut pret rastin për ta nisur ushtrinë e saj – të katërtën më të madhe në botë – drejt Jugut.
Duhet gjithashtu të shpjegojmë marrëdhënien simbiotike midis komunizmit dhe islamizmit – aleancën kuq-e-gjelbër. Këto ideologji bashkohen nga një urrejtje fanatike ndaj qytetërimit perëndimor. Znj. Chevalier është njëkohësisht marksiste dhe e konvertuar në Islam.
Nuk ka asnjë shtet apo parti komuniste që të mos i mbështesë të ashtuquajturit palestinezë. Reaktorët bërthamorë të Iranit u ndërtuan me ndihmën e Rusisë dhe Kinës.
Dija mund ta ndalë një revolucion. Të paktën amerikanët nuk mund të thonë se nuk u paralajmëruan.
Kur isha në Kubë në vitin 1998, u takova me Gustavo Arcos Bergnesin, i cili kishte luftuar në ushtrinë guerile të Fidel Castros. Kur Castro erdhi në pushtet, ai u shpërblye me postin e ambasadorit në Belgjikë. Kur pa tradhtinë ndaj atdheut të tij, Arcosi u zhgënjye, u thirr mbrapsht nga posti dhe përfundimisht u burgos për kundërshtimin e tij.
“A nuk e dije se Castro ishte komunist përpara se të vinte në pushtet”? – e pyeta. “Sigurisht që jo” – u përgjigj Arcosi. “Kur ishim me të në Sierra Maestra, ai mbante një kryq”.
Udhëheqësit e DSA-së nuk shtiren si fetarë. Ata janë shumë më të hapur për qëllimet e tyre sesa ishte Castro përpara se të vinte në pushtet.
Kur e intervistova Arcosin, ai jetonte në një apartament me një dhomë, bashkë me papagallin e tij, Michael Jackson. “Zogu është më i lirë se unë”, u ankua ai. Kjo është ajo që komisarët e ardhshëm të DSA-së kanë në mendje për ne pas revolucionit.
Gjatë Luftës së Ftohtë, Amerika e ndali përhapjen e komunizmit në Evropë dhe Azi. Nëse Amerika dështon, askush nuk do të mbetet për të na shpëtuar.
Luftojeni komunizmin tani – luftojeni me gjithçka që keni – ose blini një papagall. /Telegrafi/





