Ukraina ka arritur të ulë nga 27 në 20 miliardë dollarë hendekun e financimit të buxhetit përmes masave të kursimit, deklaroi kryeministri Serhii Koretskyi.
Shkurtimet do të prekin fusha si riparimet e rrugëve dhe projektet kulturore, ndërsa pagat e ushtarakëve do të mbrohen.
Kryeministri tha se prioriteti kryesor mbetet financimi i forcave të armatosura dhe gjithçka që lidhet me mbijetesën e vendit.
Qeveria ukrainase po zhvillon bisedime me Komisionin Evropian, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe aleatët e tjerë për mënyrën se si mund të mbulohet pjesa e mbetur e deficitit.
Mungesa e fondeve rrezikon edhe vonesa në furnizimin me armë.
Koretskyi theksoi se shifra prej 27 miliardë dollarësh nuk përbën një kërkesë të re për fonde, por ishte pjesë e kostove vjetore të luftës, të cilat Ukraina i ka vlerësuar në rreth 155 miliardë dollarë.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka planifikuar një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, e ndarë në mënyrë të barabartë për vitet 2026 dhe 2027.
Komisioni Evropian po kërkon gjithashtu që Ukraina të përshpejtojë reformat për të zhbllokuar rreth 20 miliardë euro ndihmë financiare të disponueshme këtë vit.
Një takim i ri i platformës së donatorëve për Ukrainën pritet të zhvillohet në Bruksel të martën, ku partnerët ndërkombëtarë do të diskutojnë mënyrat për të mbuluar hendekun financiar. /Telegrafi/






