August Hanning, ish-drejtor i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND), ka punuar pas pensionimit për tri kompani zvicerane, shkruan gazeta “Neue Zürcher Zeitung”. Ai është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim nën dyshimin për tentativë tradhtie ndaj shtetit, spiunazh dhe zbulim sekretesh shtetërore. Hanning mohon të ketë përcjellë informacione konfidenciale në dëm të Gjermanisë apo kundrejt pagesës.
Aktualisht nuk ka të dhëna që i lidhin këto dyshime me bizneset e tij në Zvicër. Sipas raportimeve të “Spiegel”, hetuesit po shqyrtojnë kontaktet e tij të dyshuara me Kinën dhe Azerbajxhanin.
Pas largimit nga BND-ja më 2005, Hanning punoi edhe katër vjet si sekretar shteti në Ministrinë e Brendshme gjermane. Më pas krijoi një kompani konsulence dhe ndërtoi lidhje biznesi në Zvicër.
Njëra prej tyre është Pluteos AG, me seli të regjistruar në Luzern. Hanning figuron ende si shef i bordit. Kompania ofron konsulencë për sigurinë, rreziqet dhe mbrojtjen kibernetike, duke reklamuar standardet zvicerane dhe qasjen në “informacione ekskluzive të siguruara ligjërisht”. Në adresën e saj, megjithatë, gazetarët nuk gjetën as kuti postare, as tabelë me emrin e kompanisë. Revista gjermane “Stern” kishte raportuar që më 2020 për lidhjet e Hanningut me këtë grup, ku si këshilltar angazhohej edhe ish-shefi i shërbimit të brendshëm sekret gjerman, Hans-Georg Maassen.
Lidhja më e ndjeshme është me System 360 AG, gjithashtu në Luzern, filial i Pluteos. Hanning ishte anëtar i bordit administrativ nga viti 2016 deri më 2026. Kompania thotë se bashkëpunimi përfundoi në fund të marsit, pa shpjeguar arsyet.
Sipas hetuesve gjermanë, Hanning dhe një partner biznesi dyshohet se pranuan një porosi për kthimin e fëmijëve të një gruaje pasi burri i saj kishte ikur me fëmijë në një vend tjetër.
Plani dështoi; rrëmbimi dyshohet se u krye më vonë nga një kompani izraelite. Ata dyshohen gjithashtu se tentuan ta akuzonin rrejshëm për pedofili ish-bashkëshortin e saj. Në shtator 2025 u kryen kontrolle edhe në Zvicër. Hetimet vazhdojnë, ndërsa Hanning mohon çdo përfshirje.
Kompania e tretë është Indicium Technologies AG në kantonin Zug, e cila përdor inteligjencën artificiale për verifikimin e personave dhe bizneseve. Sipas saj, Hanning ishte investitor i hershëm dhe bordit, por më 2025 shiti të gjitha aksionet dhe u largua. Sot nuk ushtron asnjë funksion aty.






