“Leje qëndrim për të huaj në këmbim të parave”- gjithçka nga aksioni i Policisë dhe AKI-së dhe arrestimi i të dyshuarve

Nacionale

Një aksion i përbashkët ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka rezultuar me arrestimin e disa të dyshuarve për keqpërdorim detyre dhe korrupsion. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se në mesin e të arrestuarve janë dy zyrtarë të Divizionit për të Huaj, një […]

Madhësia e shkronjave

Një aksion i përbashkët ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka rezultuar me arrestimin e disa të dyshuarve për keqpërdorim detyre dhe korrupsion.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se në mesin e të arrestuarve janë dy zyrtarë të Divizionit për të Huaj, një zyrtar i Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetas i huaj.

Sveçla ka thënë se të dyshuarit, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare dhe ndërmjetësuese, dyshohet se kanë ofruar shërbime për palë të ndryshme duke anashkaluar procedurat ligjore, me qëllim të përfitimit financiar.

“Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e dy zyrtarëve të Divizionit për të Huaj, një të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetasi të huaj, për të cilët ekziston dyshimi se në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare e ndërmjetësuese dhe me qëllim të përfitimit financiar, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore”, ka deklaruar Sveçla.

Ministri ka ritheksuar se lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional mbeten prioritet, duke theksuar se çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare do të trajtohet me seriozitet të plotë.

“Askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale në dëm të interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve për trajtim të barabartë para institucioneve”, ka thënë Sveçla.

Lëshonin leje qëndrimi për të huaj në këmbim të parave, Prokuroria jep detaje për zyrtarët e arrestuar të MPB-së

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë tre persona, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumenteve.

Ndalimi është bërë pas një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Sipas Prokurorisë, dy nga personat e ndaluar janë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Njëri prej tyre është zyrtar në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).

Të dyshuarit me inicialet F.Sh. dhe G.J. dyshohet se, në cilësinë e zyrtarëve publikë dhe në bashkëkryerje, kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj në mënyrë të kundërligjshme, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës dhe duke përfituar, sipas dyshimeve, dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërkohë, personi i tretë, me inicialet D.K., dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme me qëllim që t’u mundësonte personave të tjerë të aplikonin dhe të pajiseshin në mënyrë të kundërligjshme me leje qëndrimi në Republikën e Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se, brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik. /Telegrafi/