Izraelitët po votojnë sot për parlamentin e ri, në zgjedhjet e para që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe gati tre vjet luftë.
Sfida kryesore ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu vjen nga Gadi Eisenkot, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite dhe lider i partisë së qendrës, Yashar.
Katër dekada në ushtri
Eisenkot, 66 vjeç, sipas sondazheve të fundit ishte në nivel të barabartë me Netanyahun në garën për formimin e qeverisë së ardhshme. Në disa anketa, partia e tij ishte edhe lista e vetme më e votuar. Megjithatë, izraelitët nuk e zgjedhin drejtpërdrejt kryeministrin dhe asnjë bllok politik nuk ka shumicë të sigurt prej 61 deputetësh në Knesset.
Eisenkot lindi në vitin 1960 në Tiberias, në një familje hebrenjsh me prejardhje marokene dhe me origjinë nga shtresa punëtore.
Rivali kryesor zgjedhor i Netanyahut përjashton mundësinë për të shërbyer nën drejtimin e tij
Ai u rrit në Eilat, ndërsa iu bashkua ushtrisë izraelite në vitin 1978, si pjesëtar i brigadës Golani. Gjatë 41 vjetëve në uniformë, kaloi pothuajse të gjitha nivelet e hierarkisë ushtarake.
Ai shërbeu si komandant i Komandës Veriore, zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm dhe sekretar ushtarak i dy kryeministrave. Netanyahu e zgjodhi në vitin 2014 për të drejtuar Shtabin e Përgjithshëm, detyrë që Eisenkot e mbajti nga viti 2015 deri më 2019.
Autor i një doktrine të diskutueshme ushtarake
Eisenkot nuk është kandidat pacifist dhe nuk përfaqëson një ndryshim rrënjësor të politikës izraelite të sigurisë. Emri i tij lidhet me të ashtuquajturën doktrina Dahiya, të cilën e formuloi publikisht në vitin 2008, pas luftës me Hezbollahun në Liban.
Në atë kohë, ai deklaroi se Izraeli do të përdorte “forcë joproporcionale” kundër zonave nga të cilat sulmohej territori i tij, duke shkaktuar dëme dhe shkatërrime të mëdha.“Nga këndvështrimi ynë, këto nuk janë fshatra civile, por baza ushtarake”, kishte deklaruar ai.
Në këto zgjedhje, Eisenkot paraqitet si një alternativë më e moderuar ndaj Netanyahut, kryesisht për mënyrën e qeverisjes, raportin me institucionet dhe përgjegjësinë për ngjarjet e 7 tetorit, e jo si politikan që synon të zbusë ndjeshëm politikën izraelite të sigurisë.
U bashkua me kabinetin e luftës të Netanyahut, por më pas u largua
Eisenkot hyri në politikë në vitin 2022, në kuadër të aleancës me Benny Gantzin. Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit pasues, ai iu bashkua kabinetit të luftës të Netanyahut dhe mori pjesë në vendimet më të rëndësishme gjatë luftës në Gaza.
Tetë muaj më vonë, u largua nga kabineti së bashku me Gantzin. Ai e akuzoi Netanyahun se nuk kishte një plan të qartë strategjik për përfundimin e luftës dhe se po i paraqiste sukseset ushtarake taktike si zëvendësim për një strategji politike.
Netanyahu pretendon se votuesit arabë po vërshojnë drejt qendrave të votimit për t’ia vjedhur zgjedhjet
Eisenkot kundërshtoi premtimin e Netanyahut për një “fitore të plotë” ndaj Hamasit, duke e konsideruar atë një objektiv jorealist. Në vend të kësaj, ai i dha përparësi kthimit të pengjeve izraelite. Megjithatë, ai vazhdon të mbajë qëndrim të ashpër për çështjet e sigurisë kombëtare dhe e konsideron Iranin kërcënimin më të madh strategjik për Izraelin.
I biri dhe dy nipërit i vdiqën në Gaza
Lufta e ka prekur Eisenkotin edhe personalisht. Djali i tij 25-vjeçar, Gal Meir Eisenkot, pjesëtar i forcave rezervë, u vra në Gaza në dhjetor të vitit 2023. Në luftime humbën jetën edhe dy nipërit e tij.
Pas vdekjes së të birit, Eisenkot qëndroi edhe disa muaj në kabinetin e luftës. Humbja personale u bë pjesë e rëndësishme e imazhit të tij publik, në një vend ku debatet politike vitet e fundit janë dominuar nga lufta dhe sulmi i 7 tetorit, shkruan cnn.
Në vitin 2025, ai u largua nga aleanca me Gantzin dhe themeloi partinë Yashar, fjalë që në hebraisht nënkupton “i drejtë”, “i ndershëm” ose “i saktë”.
Partia është pozicionuar në qendrën politike dhe e ndërton fushatën rreth sigurisë, funksionimit të institucioneve shtetërore dhe përgjegjësisë për dështimet që mundësuan sulmin e Hamasit.
Një nga premtimet kryesore të Eisenkotit është krijimi i një komisioni të pavarur shtetëror për të hetuar ngjarjet para 7 tetorit dhe veprimet e udhëheqjes politike e ushtarake pas sulmit. Netanyahu deri më tani i është kundërvënë një hetimi të tillë.
Nuk e mbështet krijimin e një shteti palestinez
Një nga çështjet kryesore të zgjedhjeve është edhe shërbimi ushtarak. Eisenkot kërkon që detyrimi për shërbim ushtarak ose kombëtar të vlejë për të gjithë qytetarët, përfshirë hebrenjtë ultraortodoksë, të cilët për dekada kanë përfituar nga përjashtime të gjera.
Pikërisht në këtë çështje, blloku i tij dallon ndjeshëm nga koalicioni i Netanyahut, i cili varet nga partitë ultraortodokse Shas dhe Judaizmi i Bashkuar i Torës. Eisenkot e paraqet shërbimin ushtarak si çështje të sigurisë, por edhe të barazisë së qytetarëve para shtetit.
Megjithatë, ndryshimi i kryeministrit nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht një ndryshim të madh në politikën izraelite ndaj palestinezëve. Pas 7 tetorit, Eisenkot deklaroi se krijimi i një shteti palestinez nuk përbën aktualisht një mundësi reale.
Partia e tij mbështet një Izrael të fuqishëm dhe marrëveshje rajonale të arritura nga një pozicion force ushtarake dhe ekonomike. Eisenkot është më kritik se qeveria e Netanyahut ndaj dhunës së kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor, por nuk paraqitet si përkrahës i rifillimit të shpejtë të negociatave për zgjidhjen me dy shtete.
Mund të fitojë më shumë mandate, por të mos bëhet kryeministër
Sondazhet e fundit kanë treguar se Yashar mund të bëhet partia më e madhe në Knessetin e ri, me rreth 22 mandate, disa më shumë ose përafërsisht sa Likud-i i Netanyahut. Megjithatë, për të marrë pushtetin, Eisenkotit i nevojiten mandatet e të gjithë bllokut të tij politik, jo vetëm rezultati i partisë së vet.
Përveç Yashar-it, në bllokun kundërshtar të Netanyahut bëjnë pjesë edhe lista e Naftali Bennettit dhe Yair Lapidit, partia e Avigdor Liebermanit dhe Demokratët e Yair Golanit.
Sipas shumicës së sondazheve, as këto parti të marra së bashku nuk arrijnë shumicën e nevojshme prej 61 mandatesh pa mbështetje shtesë.
Për këtë arsye, partitë arabe mund të bëhen vendimtare, pasi sondazhet e fundit u parashikojnë gjithsej 12 deri në 15 mandate. Bashkëpunimi me to është politikisht i ndjeshëm dhe disa prej partnerëve të mundshëm të Eisenkotit e kundërshtojnë atë.
Nëse pas votimit asnjë bllok nuk siguron shumicën, negociatat për formimin e qeverisë së re mund të zgjasin me javë. Gjatë kësaj periudhe, Netanyahu do të vazhdonte të qëndronte në krye të qeverisë në detyrë. /Telegrafi/