Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur mbrëmë në një darkë pune Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimi Evropian, me theks të veçantë në përafrimin e plotë të politikës së jashtme të vendit me atë të bllokut evropian, si një nga prioritetet strategjike të institucioneve të Kosovës.

Po ashtu, u vlerësua angazhimi i vendit në zbatimin e reformave të nevojshme në kuadër të këtij procesi.
Në këtë kontekst, pjesë e diskutimeve ishte edhe procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshilli i Evropës, si një hap i rëndësishëm drejt integrimit ndërkombëtar.
Kurti dhe Sorensen trajtuan gjithashtu zhvillimet e fundit politike dhe çështje të aktualitetit në vend, duke shkëmbyer pikëpamje mbi situatën e brendshme dhe rajonale.
Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë përmes dialogut. /Telegrafi/





