Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Albulena Haxhiu do të vazhdojë ta ushtrojë funksionin e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, pavarësisht se është betuar si deputete në legjislaturën e re të Kuvendit.
Në një deklaratë për media, Kurti tha se situata është e njëjtë me pozitën e tij si kryeministër në detyrë, duke theksuar se ushtrimi i funksionit bëhet në përputhje me Kushtetutën.

“Ashtu qysh vlen për mua si kryeministër në detyrë, njësoj edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do ta respektojë në plotni dhe përpikëri kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë”.
“Nuk kemi president, nuk kemi presidente, por kemi ushtruese të detyrës së presidentes, e kjo është Albulena Haxhiu, dhe ajo do të vazhdojë të jetë e tillë, tamam siç e thotë Kushtetuta”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, deri në zgjedhjen e presidentit të ri, Haxhiu do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën si ushtruese e detyrës së presidentes, në përputhje me dispozitat kushtetuese.





