Kosova përballë raportit të ri të Komisionit Evropian

opinion

Gazmir Raci Pak ditë para publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, është me rëndësi t’u rikthehemi gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit të vitit 2025, për të kuptuar se ku kemi shënuar progres, ku kemi ngecur dhe cilat janë sfidat që vazhdojnë të kërkojnë vëmendjen e institucioneve tona. Tani që, pas […]

Madhësia e shkronjave

Gazmir Raci

Pak ditë para publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, është me rëndësi t’u rikthehemi gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit të vitit 2025, për të kuptuar se ku kemi shënuar progres, ku kemi ngecur dhe cilat janë sfidat që vazhdojnë të kërkojnë vëmendjen e institucioneve tona.

Tani që, pas një periudhe të gjatë të ngërçit politik dhe institucional, institucionet e Kosovës duket se janë stabilizuar dhe kanë filluar t’i rikthehen funksionimit të rregullt, krijohet një mundësi e rëndësishme për përshpejtimin e reformave. Kosova duhet t’i rikthehet agjendës së integrimit evropian me një ritëm shumë më të lartë, sepse nuk ka më kohë për të humbur.

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 ofron një pasqyrë të zhvillimeve politike, institucionale dhe ekonomike, duke evidentuar si përparimet e arritura, ashtu edhe sfidat që vazhdojnë ta përcjellin vendin në rrugën e integrimit evropian.

Në aspektin politik dhe institucional, raporti vlerëson se zgjedhjet parlamentare janë zhvilluar në mënyrë demokratike dhe konkurruese. Megjithatë, ngërçi politik dhe vështirësitë në funksionalizimin e institucioneve kanë ndikuar në ngadalësimin e agjendës së reformave dhe procesit të integrimit evropian.

Në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian ka evidentuar progres të kufizuar. Pavarësisht disa zhvillimeve pozitive në trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, mbeten të nevojshme reformat që garantojnë pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e sistemit të drejtësisë.

Në aspektin ekonomik, Kosova ka ruajtur rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar. Megjithatë, sfidat strukturore, papunësia, ekonomia informale dhe nevoja për investime më të qëndrueshme vazhdojnë të kërkojnë politika afatgjata zhvillimore.

Liria e medias dhe administrata publike mbeten fusha ku kërkohet angazhim më i madh institucional. Komisioni Evropian ka theksuar nevojën për forcimin e pavarësisë së institucioneve, transparencës, profesionalizmit dhe zbatimit të reformave.

Në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet një komponent i rëndësishëm i perspektivës evropiane. BE përmes këtij raporti kërkon zbatimin e marrëveshjeve të arritura, uljen e tensioneve dhe përkushtim ndaj dialogut.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor – mundësi që kërkon rezultate konkrete

Një dimension veçanërisht i rëndësishëm i agjendës evropiane është zbatimi i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, një instrument financiar dhe reformues që synon përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe afrimin gradual të vendeve të rajonit me tregun e përbashkët evropian.

Në kuadër të këtij instrumenti, Kosovës i janë ndarë potencialisht 882.6 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme deri në fund të vitit 2027, të kushtëzuara me përmbushjen e reformave të dakorduara me Komisionin Evropian. Pas ratifikimit të marrëveshjeve përkatëse, në prill 2026 Komisioni Evropian filloi transferimin e parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh, duke hapur një fazë të re të zbatimit të këtij instrumenti.

Sa i përket përmbushjes së kritereve, sipas raportimit zyrtar të Qeverisë së Kosovës të shtatorit 2026, deri më 30 qershor ishin zbatuar dhe raportuar në Komisionin Evropian 20 hapa reformues, me vlerë të ndërlidhur prej 153.3 milionë eurosh. Këto rezultate ishin dorëzuar për vlerësim në Komisionin Evropian, prandaj duhet bërë dallimi ndërmjet reformave të raportuara nga institucionet vendore dhe atyre të verifikuara e të pranuara për financim nga BE-ja. Kjo dëshmon se procesi ka filluar të prodhojë rezultate konkrete, por edhe se mbetet punë e konsiderueshme për përmbushjen e plotë të zotimeve.

Plani i Rritjes nuk duhet të shihet vetëm si mundësi për përfitime financiare, por si mekanizëm për modernizimin e ekonomisë, forcimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e administratës publike dhe rritjen e konkurrueshmërisë së Kosovës.

Për këtë arsye, institucionet duhet të sigurojnë koordinim të vazhdueshëm, zbatim brenda afateve dhe transparencë në raportimin e rezultateve, në mënyrë që fondet e disponueshme të shfrytëzohen sa më plotësisht.

Një zhvillim tjetër pozitiv në agjendën evropiane të Kosovës është emërimi i kryenegociatorit për integrim në Bashkimin Evropian, i cili njëkohësisht ushtron përgjegjësinë e Koordinatorit Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje. Ky është një hap i rëndësishëm institucional që dëshmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për t’i dhënë procesit të integrimit evropian një koordinim më të qartë, më të strukturuar dhe më funksional. Emërimi i z. Jeton Zulfajt në këtë pozitë krijon mundësi për një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe të koordinuar me institucionet e Bashkimit Evropian, veçanërisht me Komisionin Evropian, si dhe për mbikëqyrjen e zbatimit të reformave të përcaktuara në Planin e Rritjes së BE-së.

Procesi i Berlinit dhe integrimi rajonal

Një rëndësi të veçantë ka edhe përmbushja e angazhimeve që dalin nga Procesi i Berlinit, si dhe pjesëmarrja aktive në iniciativat evropiane për Ballkanin Perëndimor. Kosova ka bërë hapa pozitivë në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, përfshirë pjesëmarrjen në marrëveshjet për mobilitetin, bashkëpunimin ekonomik dhe lehtësimin e tregtisë.

Një zhvillim pozitiv për Kosovën ishte edhe kryesimi i CEFTA-s gjatë vitit 2025, kur u miratuan 11 vendime të rëndësishme për lehtësimin e tregtisë dhe bashkëpunimin rajonal. Po ashtu, emërimi i znj. Pranvera Kastratit në krye të Sekretariatit të CEFTA-s përbën arritje në përfaqësimin profesional të Kosovës dhe forcimin e rolit të saj në proceset e integrimit ekonomik rajonal dhe evropian.

Zbatimi i Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025-2028, avancimi i Agjendës së Gjelbër, ndërlidhja infrastrukturore, transformimi digjital dhe lehtësimi i lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit janë hapa që mund të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset. Në këtë drejtim, Procesi i Berlinit, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, Fondet IPA, Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të Bashkimit Evropian duhet të trajtohen si procese plotësuese dhe jo si agjenda të ndara.

Pjesëmarrja aktive dhe zbatimi i marrëveshjeve rajonale janë njëkohësisht mundësi ekonomike, përgjegjësi ndërkombëtare dhe instrumente për ta afruar Kosovën me standardet dhe tregun evropian.

Samiti i fundit i Procesit të Berlinit, i mbajtur më 22 tetor 2026 në Budvë të Malit të Zi, ritheksoi rëndësinë e përshpejtimit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, zbatimit të marrëveshjeve rajonale dhe afrimit gradual me tregun e përbashkët të BE-së. Në fokus të diskutimeve ishin edhe zhvillimi ekonomik, ndërlidhja energjetike, transformimi digjital dhe forcimi i sigurisë rajonale.

Këto prioritete paraqesin mundësi për të avancuar agjendën e reformave, për të shfrytëzuar planin e rritjes dhe për të përmbushur angazhimet e Procesit të Berlinit. Mesazhi kryesor është se integrimi evropian kërkon jo vetëm marrëveshje dhe zotime politike, por mbi të gjitha zbatim konkret dhe rezultate të matshme për qytetarët.

Integrimi evropian në një realitet të ri gjeopolitik

Rëndësia e integrimit evropian të Kosovës dhe e gjithë Ballkanit Perëndimor bëhet edhe më e madhe në rrethanat aktuale gjeopolitike. Agresioni i vazhdueshëm i Federatës Ruse kundër Ukrainës, kërcënimet e sigurisë në kontinentin evropian, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe përshkallëzimet ushtarake ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit kanë krijuar një mjedis ndërkombëtar me pasiguri të mëdha politike, ekonomike dhe të sigurisë. Këto zhvillime ndikojnë edhe në sigurinë energjetike, zinxhirët e furnizimit, tregtinë ndërkombëtare dhe stabilitetin ekonomik të vendeve të vogla, përfshirë Kosovën.

Në këtë kontekst, zgjerimi i BE-së po merr gjithnjë e më shumë rëndësi strategjike, jo vetëm si projekt ekonomik dhe politik, por edhe si investim afatgjatë në paqen, sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit. Edhe Komisioni Evropian, përmes iniciativave të fundit për përgatitjen e BE-së për zgjerimin e ardhshëm, ka ritheksuar dimensionin gjeopolitik të këtij procesi.

Për Kosovën, ky realitet kërkon një qasje të koordinuar ndërmjet reformave të brendshme, diplomacisë aktive, bashkëpunimit rajonal dhe përafrimit të vazhdueshëm me politikat e Bashkimit Evropian.

Kosova ka interes strategjik që të jetë sa më shpejt pjesë e familjes evropiane si dhe NATO-së, duke kontribuar në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e përbashkët.

Kosova dhe NATO

Në rrethanat aktuale gjeopolitike, të karakterizuara nga lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe kërcënimet ndaj sigurisë evropiane, forcimi i marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n mbetet një prioritet strategjik. Prania e forcave të KFOR-it vazhdon të jetë faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin, ndërsa zhvillimi dhe modernizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës përbën një hap pozitiv drejt përafrimit me standardet e NATO-së.

Megjithatë, anëtarësimi i Kosovës në Aleancë mbetet sfidë diplomatike, veçanërisht për shkak të mosnjohjes së pavarësisë nga katër shtete anëtare. Prandaj, intensifikimi i diplomacisë, forcimi i partneritetit me SHBA-në dhe aleatët evropianë, si dhe avancimi drejt Partneritetit për Paqe, janë objektiva të rëndësishëm. Integrimi në Bashkim Evropian dhe Aleancën NATO janë dy procese plotësuese që për Kosovën përfaqësojnë garanci afatgjata për zhvillim, stabilitet dhe siguri. Në këtë kontekst, përshpejtimi i agjendës euroatlantike mbetet interes strategjik shtetëror.

Si përfundim

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 nuk paraqet një situatë vetëm pozitive apo vetëm negative. Ai evidenton përparime në fusha të caktuara, por njëkohësisht tregon se ritmi i reformave mbetet i pamjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e procesit të integrimit evropian.

Një nga mesazhet më të rëndësishme është se shumë rekomandime të viteve paraprake vazhdojnë të mbeten aktuale. Kjo tregon se sfida kryesore nuk qëndron vetëm te hartimi i politikave dhe miratimi i legjislacionit, por edhe te zbatimi i tyre në praktikë.

Me rikthimin gradual të funksionalitetit institucional, përgjegjësia për avancimin e agjendës evropiane bëhet edhe më konkrete. Qeveria, Kuvendi dhe institucionet e tjera përgjegjëse kanë mundësinë të përqendrohen në përmbushjen e rekomandimeve, zbatimin e Agjendës së Reformave, shfrytëzimin e Planit të Rritjes dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Integrimi evropian nuk duhet të mbetet vetëm objektiv politik apo diplomatik, por duhet të shndërrohet në proces të matshëm të forcimit të institucioneve, zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve.

Raporti i vitit 2026 do të jetë një mundësi e re për të vlerësuar se sa ka përparuar Kosova dhe sa nga rekomandimet e mëparshme janë zbatuar.

Në një Evropë që po përballet me sfida të mëdha të sigurisë dhe me ndryshime të rëndësishme gjeopolitike, Kosova nuk duhet të humbasë mundësitë që ofron procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian. Stabiliteti institucional, reformat konkrete, bashkëpunimi rajonal dhe zbatimi i obligimeve ndërkombëtare janë elemente thelbësore për ta përshpejtuar këtë rrugëtim.

Përkushtimi aktual i Komisionit Evropian ndaj procesit të zgjerimit, veçanërisht roli pozitiv i Komisioneres Marta Kos, krijon një momentum të rëndësishëm që Kosova duhet ta shfrytëzojë maksimalisht për përshpejtimin e integrimit evropian.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por pothuajse katër vjet më vonë, shtetet anëtare ende nuk kanë marrë vendim që aplikimi i saj t’i nënshtrohet vlerësimit formal nga Komisioni Evropian. Është koha që shtetet anëtare të BE-së të tregojnë më shumë guxim dhe vendosmëri politike në raport me Kosovën. Vendi ynë meriton trajtim të drejtë të aplikimit dhe një perspektivë të qartë drejt marrjes së statusit kandidat, në përputhje me kriteret evropiane.

Komentet