Muaji nëntor sjell seriale të reja dhe rikthime të shumëpritura, nga drama historike dhe thriller-at me spiunë, te komeditë dhe historitë e bazuara në ngjarje reale.
Në mesin e titujve që pritet të shfaqen janë edhe Blade Runner 2099, me Michelle Yeoh, dhe The Greatest, që sjell në ekran vitet e para të boksierit legjendar Muhammad Ali.
1. The Gilded Age
1. The Gilded Age
Drama historike rikthehet me sezonin e katërt, duke vazhduar rivalitetet dhe konfliktet mes familjeve të pasura të Nju Jorkut. Bertha Russell përpiqet të ruajë pozicionin e saj në shoqëri, ndërsa Agnes van Rhijn mbetet një nga kundërshtaret e saj kryesore. Paralelisht zhvillohen edhe historitë personale të Peggy-t dhe Marian-it.
2. The Greatest
2. The Greatest
Seriali dramatik fokusohet te vitet e para të Muhammad Aliut, kur ai njihej ende si Cassius Clay. Historia nis nga fëmijëria e tij në një shoqëri të përfshirë nga segregacioni racor dhe vazhdon deri te suksesi në Lojërat Olimpike të vitit 1960 dhe fitimi i titullit botëror në vitin 1964. Rolin kryesor e luan Jaalen Best, ndërsa projekti ka edhe përfshirjen e familjes së boksierit.
3. Stick
Owen Wilson rikthehet si Pryce Cahill, një ish-golfist që përpiqet të ringjallë karrierën e tij. Në sezonin e dytë, ai synon të bëhet lojtari më i moshuar që fiton turneun US Open, ndërsa përballet me rivalitete të vjetra dhe sfida të reja. Në kast rikthehen Timothy Olyphant, Judy Greer dhe Marc Maron, ndërsa Rhea Seehorn i bashkohet sezonit të ri.
4. Black Doves
Keira Knightley dhe Ben Whishaw rikthehen në sezonin e dytë të thriller-it me spiunë. Helen Webb vazhdon të përballet me jetën e dyfishtë si bashkëshorte e një politikani dhe informatore e organizatës sekrete Black Doves. Ndërkohë, miku i saj Sam përfshihet sërish në situata të rrezikshme, mes atentateve, sekreteve dhe lojërave politike.
5. It Gets Worse
5. It Gets Worse
Komedia e krijuar nga Leo Reich ndjek tre miq të Gjeneratës Z, të cilët përballen me sfidat dhe pasiguritë e të njëzetave. Në qendër është Ethan, një i ri i vetëkënaqur që mbështetet te prindërit, së bashku me miqtë e tij Abi dhe Sam. Seriali trajton marrëdhëniet, ambiciet dhe egocentrizmin e të rinjve, me paraqitje të aktorëve si Andrew Scott dhe Lena Dunham.
6. Rivals
Drama e bazuar në romanet e Jilly Cooper rikthehet me histori të reja rivalitetesh, tradhtish dhe marrëdhëniesh të ndërlikuara. Tony Baddingham, i luajtur nga David Tennant, vazhdon përplasjen me Declan O’Hara, ndërsa jeta sentimentale e Taggie-t dhe Rupert Campbell-Black bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. Sezoni i ri premton më shumë intriga në botën e pasurisë dhe pushtetit.
7. The Good Daughter
7. The Good Daughter
Rose Byrne dhe Meghann Fahy luajnë dy motra që përballen me pasojat e një traume nga fëmijëria. Pas vitesh larg njëra-tjetrës, ato ribashkohen kur Charlotte bëhet dëshmitare e një vrasjeje që i rikthen kujtimet e një sulmi të dhunshëm në familjen e tyre. Seriali, i bazuar në romanin e Karin Slaughter, ndërthur misterin kriminal me konfliktet familjare dhe ndikimin afatgjatë të traumës.
8. 12 12 12
Jamie Dornan dhe Anthony Mackie janë protagonistët e këtij thriller-i kriminal, që nis me planifikimin e një grabitjeje prej 800 milionë dollarësh, rreth 688 milionë euro. Dornan luan një kriminel që përpiqet të largohet nga e kaluara, por detyrohet të rikthehet në lojë. Mackie interpreton një agjent të FBI-së që e ndjek atë, ndërsa ngjarjet zhvillohen në disa vende të Evropës.
9. Blue Lights
Seriali policor i vendosur në Belfast rikthehet me sezonin e katërt, duke vazhduar historitë e policëve që përballen me krimin dhe tensionet politike. Një gjyq për një vrasje të ndodhur në sezonin e parë rikthen kujtime dhe pasoja për personazhet, ndërsa ekipi përballet edhe me protesta kundër emigrantëve që përshkallëzohen në dhunë. Në sfond mbetet rreziku i mbylljes së stacionit policor Blackthorn.
10. The Altruists
10. The Altruists
Drama trajton historinë e Sam Bankman-Fried, themeluesit të platformës së kriptomonedhave FTX, e cila u shemb në vitin 2022. Anthony Boyle interpreton Bankman-Fried, ndërsa Julia Garner luan Caroline Ellison, bashkëpunëtoren dhe ish-partneren e tij. Seriali shqyrton se si ambiciet për të ndryshuar botën financiare u ndërthurën me mashtrimin dhe një nga skandalet më të mëdha të sektorit të kriptomonedhave.
11. Dig
Amy Poehler dhe Hugh Laurie bashkohen në këtë komedi që zhvillohet gjatë një ekspedite arkeologjike në Greqi. Elise, e luajtur nga Poehler, drejton një ekip grash që përfshihet në një situatë të ndërlikuar pasi zbulon një objekt me vlerë të jashtëzakonshme. Laurie interpreton profesorin Neville Wycombe, ndërsa kërkimet shkencore shndërrohen në një aventurë plot keqkuptime dhe telashe ndërkombëtare.
12. Blade Runner 2099
12. Blade Runner 2099
Universi i Blade Runner zgjerohet me një serial të ri ku luajnë Michelle Yeoh dhe Hunter Schafer. Ngjarjet zhvillohen në një të ardhme ku marrëdhënia mes njerëzve dhe replikantëve merr një drejtim të ri. Yeoh interpreton Olwen, një replikante pranë fundit të jetës, ndërsa Schafer luan Corën, një njeri që maskohet si replikante për të mbrojtur vëllain e saj. Seriali eksploron frikën nga inteligjenca artificiale dhe të ardhmen e njerëzimit. /Telegrafi/