Një urë rrugore, hapja e së cilës ishte vonuar prej kohësh, që lidh Kinën me Korenë e Veriut, është vënë në funksion – raportojnë mediat shtetërore kineze – në një kohë kur marrëdhëniet tregtare mes dy fqinjëve po përmirësohen.
Kina është partneri më i madh tregtar i Koresë së Veriut dhe një “linjë shpëtimi” përballë sanksioneve të rënda ndërkombëtare, të vendosura për shkak të programit të armëve bërthamore të Phenianit.
Ura e re mbi lumin Yalu shtrihet në një gjatësi prej 3 km, nga qyteti kufitar kinez Dandong deri në Sinuiju të Koresë së Veriut, dhe pritet të bëhet rruga kryesore tokësore për tregtinë mes dy vendeve.
Inaugurimi i saj, i planifikuar fillimisht për vitin 2014, ishte shtyrë për një kohë të pacaktuar pasi Koreja e Veriut ndaloi ndërtimin e rrugëve dhe objekteve doganore, ndërsa marrëdhëniet me Pekinin u ftohën.
Ura e re mbi lumin Yalu shërben si një alternativë ndaj “Urës së Miqësisë Kinë-Kore”, e cila është ndërtuar dekada më parë, midis viteve 1937 dhe 1943, gjatë pushtimit të rajonit nga Japonia Perandorake.
Ajo përbën një “objekt të rëndësishëm për ndërlidhjen” mes dy vendeve – deklaroi të mërkurën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning – duke shtuar se ky aks do të “lehtësojë më tej tregtinë dhe shkëmbimet mes njerëzve”.
Vitin e kaluar, tregtia dypalëshe arriti në 2,7 miliardë dollarë, duke shënuar një rimëkëmbje në nivelet e para pandemisë, e nxitur kryesisht nga eksportet kineze drejt Koresë së Veriut.
Një rritje e menjëhershme dhe e vrullshme e tregtisë përgjatë kufirit është “e pamundur”, duke qenë se sanksionet e OKB-së ndaj Koresë së Veriut mbeten ende në fuqi – shpjegon për BBC-në Kang Jun-young, profesor i studimeve kineze në Universitetin e Studimeve të Huaja “Hankuk”.
“Pheniani është gjithashtu i kujdesshëm ndaj një vërshimi të papritur të importeve kineze, gjë që do të zgjeronte ndjeshëm ndikimin e Kinës mbi tregun e tij të brendshëm”, shton ai.
“Kina është plotësisht e vetëdijshme për këto shqetësime, ndaj ka më shumë gjasa që tregtia të rritet gradualisht”.
Pekini dhe Pheniani janë aleatë të kahershëm dhe kanë një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë – i vetmi që Kina ka me ndonjë shtet tjetër.
Marrëdhënia mes tyre përshkruhet shpesh me shprehjen “të afërt sa buzët dhe dhëmbët”, një frazë e përdorur fillimisht nga ish-udhëheqësi kinez, Mao Ce Dun.
Megjithatë, kjo aleancë nuk është pa tensione. Marrëdhëniet ishin të ftohta gjatë pjesës më të madhe të viteve 2010, ndërsa durimi i Pekinit ndaj programit të armëve bërthamore të Phenianit po shteronte.
Kim Jong Un kreu një provë bërthamore në vitin 2017 dhe, që atëherë, ka shtuar testimet e raketave balistike të ndaluara – gjë që ka rritur shqetësimin e SHBA-së dhe ka forcuar aleancat e saj ushtarake me Korenë e Jugut dhe Japoninë.
Por qëndrimi i Kinës ka ndryshuar kohët e fundit. /Telegrafi/






