Karriget e konsumuara në selinë e OKB-së bëhen simbol i gjendjes së organizatës

Bota

Karriget e konsumuara në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York janë përdorur si metaforë për gjendjen e organizatës ndërkombëtare. Fotografia, e realizuar në Sallën e Konferencave 1 në selinë e OKB-së, u publikua nga Sergiy Kyslytsya, ish-ambasadori i Ukrainës në OKB dhe aktualisht zëvendësudhëheqës i parë i Zyrës së Presidentit të Ukrainës. Kyslytsya […]

Madhësia e shkronjave

Karriget e konsumuara në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York janë përdorur si metaforë për gjendjen e organizatës ndërkombëtare.

Fotografia, e realizuar në Sallën e Konferencave 1 në selinë e OKB-së, u publikua nga Sergiy Kyslytsya, ish-ambasadori i Ukrainës në OKB dhe aktualisht zëvendësudhëheqës i parë i Zyrës së Presidentit të Ukrainës.

Kyslytsya i krahasoi karriget e vjetruara me gjendjen e vetë organizatës, duke argumentuar se OKB-ja është e vjetruar dhe ka nevojë për një reformim të thellë.

“Është e vjetruar, ka humbur rrugën dhe ka nevojë për një reformim të thellë”, shkroi ai.

Sipas tij, disa besojnë se organizata duhet të kthehet te rrënjët e saj. Ai iu referua edhe Konferencës së Jaltës, ku në vitin 1945 u takuan liderët e Bashkimit Sovjetik, Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar – Josef Stalin, Franklin Roosevelt dhe Winston Churchill.

“Trungu i OKB-së u rrit nga farat e mbjella në Jaltë nga Stalini, Ruzvelti dhe Çërçilli, dhe tashmë nuk është më një shtyllë e paqes”, tha Kyslytsya.

Ai shprehu gjithashtu dyshime se sekretari i ardhshëm i përgjithshëm i OKB-së do të mund ta rikthejë rolin e organizatës, përderisa Rusia vazhdon të ketë vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

Rusia, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Kinën, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, është një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ka të drejtën e vetos. /Telegrafi/