Një defekt teknik në sistemin britanik të kontrollit të trafikut ajror ka shkaktuar kaos në aeroportet kryesore të vendit, duke detyruar anulimin e më shumë se 600 fluturimeve dhe duke lënë qindra mijëra pasagjerë përballë vonesave dhe pasigurive.
Problemi preku sistemin e përpunimit të të dhënave të fluturimeve të NATS, operatorit britanik të kontrollit të trafikut ajror. Ndër aeroportet më të prekura ishin Heathrow, Gatwick, Stansted, Manchester dhe Birmingham, ndërsa probleme u raportuan edhe në aeroporte të tjera në Angli dhe Skoci.
Sipas të dhënave të Flightradar24, deri të martën në mbrëmje ishin anuluar më shumë se 600 fluturime, ndërsa qindra të tjera u vonuan. British Airways, easyJet, Ryanair dhe kompani të tjera ajrore u përballën me pasoja të drejtpërdrejta nga ndërprerja.
NATS fillimisht njoftoi se kishte identifikuar një “problem teknik” në sistemin e përpunimit të fluturimeve dhe se inxhinierët po punonin për rikthimin e shërbimit, transmeton Telegrafi.
Më vonë, operatori deklaroi se problemi ishte zgjidhur dhe se sistemi kishte nisur të funksiononte normalisht. Megjithatë, rikthimi në normalitet nuk ishte i menjëhershëm, pasi sistemi i aviacionit duhej të përballonte një numër të madh fluturimesh të mbetura pezull.
NATS kërkoi falje për kaosin dhe tha se po punonte për të pastruar sa më shpejt të ishte e mundur “grumbullimin” e fluturimeve të krijuar gjatë ndërprerjes.
Edhe pse defekti u zgjidh, aeroportet paralajmëruan se vonesat dhe anulimet mund të vazhdonin për shkak të efektit zinxhir që krijohet kur avionët dhe ekuipazhet mbeten jashtë pozicionit të tyre të planifikuar.
Aeroporti i Manchesterit tha se pret të operojë me një orar të plotë të mërkurën, por paralajmëroi se aeroporti mund të jetë më i ngarkuar se zakonisht, pasi shumë fluturime do të riplanifikohen.
Ndërkohë, pasagjerëve u është kërkuar të kontaktojnë kompanitë ajrore dhe të kontrollojnë statusin e fluturimit përpara se të nisen drejt aeroportit.
Defekti i fundit ka rikthyer shqetësimet mbi qëndrueshmërinë e infrastrukturës së kontrollit ajror britanik. Ky është incidenti i tretë madhor që lidhet me sistemet e NATS në pak më shumë se tre vjet, duke nxitur kritika të forta nga kompanitë ajrore.
Ryanair tha se më shumë se 65 mijë pasagjerë të saj u prekën nga vonesat, ndërsa kompania kërkoi edhe dorëheqjen e shefit ekzekutiv të NATS, Martin Rolfe. Wizz Air, ndërkohë, kërkoi reforma urgjente në sistem.
Sekretarja britanike e Transportit, Heidi Alexander, tha se ishte e kënaqur që problemi ishte zgjidhur, por paralajmëroi se do të duhej kohë që trafiku ajror të rikthehej plotësisht në normalitet.
Ajo kërkoi gjithashtu garanci që nga incidenti të nxirren mësimet e nevojshme dhe që sistemet kritike që mbështesin aviacionin britanik të jenë të afta të përballojnë situata të tilla.






