Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka intensifikuar aksionin në terren për trajtimin e banesave pa dokumentacion pronësie në Bashkinë Himarë, në kuadër të qasjes së re “derë më derë”, e cila synon që shërbimi kadastral të shkojë te qytetari dhe jo e kundërta.
Për të ndjekur nga afër punën e ekipeve në terren dhe komunikimin me banorët, në Himarë ka qenë drejtoresha e përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, e cila ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorë të Dhërmiut dhe të Vunoit dhe specialistët që po kryejnë evidentimet.
“Ky proces është edhe për ndërtesat pas vitit ’91, edhe për shtëpitë e vjetra. Ne aktualisht po punojmë në 9 fshatrat e parë, duke filluar me Palasën dhe do të vijojmë për të përmbyllur gjithë fshatrat e tjerë”, u shpreh Goxhobelli gjatë takimit me banorët.

Në ditët e para të aksionit, ekipet e ASHK-së kanë evidentuar 235 banesa pa dokumentacion pronësie, ndërsa puna në terren do të vijojë në të gjitha fshatrat e Bashkisë Himarë deri më 25 nëntor, sipas kalendarit të publikuar më herët.
Në fokus të aksionit janë si banesat e vjetra të ndërtuara para vitit 1991, ashtu edhe objektet informale të ndërtuara pas vitit 1991, të cilat plotësojnë kriteret ligjore për trajtim dhe legalizim.
Aksioni në Himarë vjen në një periudhë kur ASHK ka rritur ndjeshëm ritmin e trajtimit të ndërtimeve pa dokumentacion. Nga janari deri në gusht 2026 janë emetuar rreth 26 mijë vendime legalizimi në rang vendi, një shifër e përafërt me totalin e vendimeve të dhëna gjatë gjithë vitit 2025.
Në këtë kuadër, aksioni “derë më derë” në Himarë sjell një tjetër mënyrë ndërhyrjeje: ekipet e ASHK-së nuk presin vetëm aplikimet apo vetëdeklarimet e qytetarëve, por shkojnë në territor për të evidentuar problematikat dhe për të nisur trajtimin e tyre nga afër.
Një risi e rëndësishme lidhet edhe me zbatimin e VKM-së nr. 600, datë 16.09.2026, e cila krijon mundësinë që gjatë këtij procesi të trajtohen edhe objekte informale që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga legjislacioni, edhe në rastet kur qytetari nuk ka paraqitur më parë kërkesë për legalizim.
Për banorët që përfshihen në këtë proces kryesisht nga ASHK-ja, nuk do të aplikohet tarifë shërbimi, duke synuar lehtësimin dhe përshpejtimin e procedurave deri në përfundimin e trajtimit të pronës.
Qasja e re synon të sjellë një ndryshim konkret në marrëdhënien qytetar–institucion: nga pritja e qytetarit për zgjidhjen e problemit të pronësisë, te ndërhyrja e institucionit në territor për ta identifikuar dhe trajtuar atë.
Ekipet e ASHK-së do të vijojnë prezencën në fshatrat e Bashkisë Himarë deri më 25 nëntor. Banorët e zonave të përfshira në kalendar ftohen të ndjekin datat e përcaktuara dhe të shfrytëzojnë kontaktin e drejtpërdrejtë me specialistët për problematikat që lidhen me dokumentacionin e banesave të tyre. /Tch/





