Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, i është përgjigjur kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe procesin e bashkëpunimit ndërmjet partive.
Haziri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka kritikuar deklaratat e Kurtit, duke i cilësuar si tregues të situatës kontraverse brenda LVV-së.
“Se sa është kontraverse situata brenda VV-së pasqyrohet nga deklaratat e kryetarit të saj. Deri dje tha se ‘po lypin shumë e nuk ju jap’, ndërsa sot tha se ‘po ju ofroj shumë e janë tërheq’”, ka shkruar Haziri.
Ai ka theksuar se LDK-ja ka dalë nga procesi i bashkëpunimit, duke e cilësuar këtë si një ofertë që synon nxitjen e proceseve politike.
“LDK ka dal dje nga procesi i bashkëpunimit si ofertë drejt shkaktimit të proceseve politike. Ne e mbajmë fjalën për President konsensual, por konstituimi i Kuvendit është hapi kryesor për me pasë President dhe Qeveri”, është shprehur ai.
Haziri ka paralajmëruar se, sipas tij, pasojat politike të largimit të LDK-së nga bashkëpunimi do të bëhen të dukshme, duke i bërë thirrje palës tjetër që të reflektojë.
“Ka me ju dal tymi herët a vonë atyre që LDK ju largohet nga bashkëpunimi. Kthehu prapa dhe e gjeni vetën shpejtë. Ne e kemi paguar çmimin tonë. Kemi përballu procese edhe më të rënda se kjo. LDK ka qenë dhe mbetet besë e shpresë për këtë Republikë”, ka shkruar Haziri. /Telegrafi/






