Ish-reprezentuesi i Holandës, Ibrahim Afellay, ka pranuar se do të bëjë tifo për Marokun në ndeshjen e fazës së 1/8 së finales së Kupës së Botës kundër Holandës.
I ftuar në emisionin NOS WK Avond, ish-futbollisti i PSV Eindhovenit dhe Barcelonës nuk hezitoi kur u pyet nga moderatori Ron Jans se cilën kombëtare dëshironte ta shihte fituese.
“Për këtë ndeshje, zemra ime është me Marokun”, u shpreh Afellay.
Deklarata e tij shkaktoi reagime në studio, ndërsa ish-mbrojtësi i Holandës, André Ooijer, e pyeti nëse e kishte seriozisht. Afellay shpjegoi se zgjedhja e tij lidhet me origjinën dhe familjen.

“Rrënjët e mia janë në Marok. Prindërit e mi janë nga atje dhe një pjesë e madhe e familjes sime jeton ende në Marok. Çfarë shpjegimi tjetër duhet të jap?”, tha ai.
Megjithatë, ish-mesfushori theksoi se mbetet krenar për gjithçka ka arritur me fanellën e Holandës.
“Kam lindur dhe jam rritur në Holandë dhe jam mirënjohës që kam përfaqësuar këtë vend. Nuk mora një vend në kombëtare si dhuratë, por e fitova me paraqitjet e mia në fushë”, shtoi Afellay.
Ai theksoi se, pavarësisht rezultatit, do të jetë i lumtur për fituesin, por zemra e tij mbetet me vendin e origjinës.
“Jam rritur në Holandë, por rrënjët e mia janë në Marok. Nëse më pyesni ku e kam zemrën, përgjigjja është Maroku”, deklaroi ai.
Moderatori Ron Jans e mbështeti qëndrimin e Afellayt, duke vlerësuar sinqeritetin e tij.
“Madje do të më dukej e çuditshme nëse do të bëje tifo për Holandën. Askush nuk harron prejardhjen e tij dhe mendoj se je një shembull i mirë i kësaj”, tha Jans.
Afellay e falënderoi për mirëkuptimin, duke pranuar se deklarata e tij mund të interpretohet ndryshe nga disa njerëz.
Ish-futbollisti zhvilloi 53 ndeshje me fanellën e Holandës, duke shënuar shtatë gola, ndërsa tani shpreson që Maroku të dalë fitues në përballjen ndaj vendit që përfaqësoi për shumë vite. /Telegrafi/





