Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës.
Shiroka-Pula është ekonomiste dhe akademike, ndërsa para zgjedhjes në krye të shtetit ka ushtruar edhe funksione të ndryshme institucionale dhe politike.
Në vitin 2025, ajo ishte zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë institucion të themeluar në vitin 1975. Në këtë pozitë ajo pasoi akademikun Mehmet Kraja.
Shiroka-Pula shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i ka përfunduar në vitin 1984 në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Zagrebit.
Ajo është doktoruar në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale Shiroka-Pula e ka nisur në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 ka filluar punën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Sipas biografisë së publikuar nga ASHAK, ajo ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe trajnime të ndryshme profesionale në universitete ndërkombëtare.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Shiroka-Pula është angazhuar edhe në shoqërinë civile, me fokus në fuqizimin e grave, barazinë gjinore, zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësinë.
Ajo ka pasur edhe një karrierë politike. Nga viti 2008 deri më 2011 ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.
Me zgjedhjen e saj në postin e presidentes, Shiroka-Pula merr përgjegjësinë e kreut të shtetit në një periudhë të rëndësishme politike për Kosovën.
Ajo bëhet presidentja e re e Republikës së Kosovës, duke pasuar në këtë detyrë presidenten Vjosa Osmani./Telegrafi.





