Nëse deri në orën 00:00 të datës 6 tetor 2026 nuk zgjidhet njëra nga dy kandidatet për presidente, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë, sipas ekspertëve.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi [IKD] tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është e rëndësishme se kur ka nisur procedura, por ajo duhet të përfundojë brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuta.

“Çdo emërim pas datës 6 tetor është kundërkushtetues. Pasoja që Gjykata Kushtetuese e lidh me dështimin për ta zgjedhur presidentin deri më 6 tetor, është shpërndarja e Kuvendit sipas nenit 82 të Kushtetutës”, tha Miftaraj.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese vlerëson kushtetutshmërinë e zgjedhjes së presidentes pas afatit kohor nëse dikush inicion rast në këtë institucion.
Edhe Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha se Kuvendi shpërndahet automatikisht pas përfundimit të afatit 60-ditor.
“Deri në orën 00:00 ka afat. Pastaj, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë, sepse përfundon afati 60-ditor”, tha Bugaqku.





