Dy kompani kanë ndryshuar qëndrim dhe tani do të lejojnë reklamat për dokumentarin e ardhshëm të regjisorit Alex Gibney për Elon Musk, pasi më herët u raportua se disa platforma sociale kishin refuzuar t’i shfaqnin ato.
The Hollywood Reporter raportoi të premten se TikTok, Meta, YouTube dhe X kishin refuzuar reklamat me pagesë për trailerin e dokumentarit “Musk”.
Por, pasi TechCrunch kontaktoi Meta-n, një zëdhënës i kompanisë tha se refuzimi ishte “një gabim” dhe se reklamat po riktheheshin.
Edhe YouTube sqaroi se traileri ka qenë gjithmonë i disponueshëm në platformë.

Kompania tha se kur u dërgua si reklamë, sistemi e kufizoi përkohësisht, por pas një rishikimi reklama u miratua për publikim.
Ndërkohë, X ende nuk e ka ndryshuar qëndrimin.
Platforma është në pronësi të Elon Musk, i cili më herët ka kritikuar publikisht Gibney-n.
Sipas raportimeve, Meta, TikTok dhe YouTube e kishin klasifikuar reklamën si përmbajtje politike, kategori që ka kufizime të ndryshme në këto platforma.
Megjithatë, nuk është e qartë pse një trailer filmi u konsiderua reklamë politike.
Dokumentari “Musk” është realizuar nga Alex Gibney, i njohur për dokumentarë si “Going Clear” dhe “The Inventor”.
Ai u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecia dhe ka marrë vlerësime shumë pozitive nga kritikët.
Dokumentari, që zgjat gati katër orë, trajton karrierën e Musk në teknologji, marrëdhënien e tij me Donald Trump dhe jetën personale. Ai pritet të shfaqet në kinematë amerikane më 9 tetor. /Telegrafi/





